Kredi amerikane, pajisje evropiane: A po shkëputet Serbia nga teknologjia kineze 5G?

Rrjeti 5G që po ndërton operatori shtetëror i Serbisë, bazohet tash për tash në pajisje të prodhuesve evropianë.

Kështu thonë nga Telekomi i Serbisë - kompani që, gjatë viteve të fundit, ka bashkëpunuar me gjigantin kinez, Huawei, në zhvillimin e rrjeteve të telekomunikacionit.

Huawei gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, të cilat e akuzojnë kompaninë se pajisjet e saj 5G mund të përdoren për spiunazh në favor të Qeverisë kineze.

Kompania i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Ndërsa për Uashingtonin kompanitë kineze nuk konsiderohen furnizues të besueshëm, Telekomi i Serbisë thotë se marrëveshja me bankën amerikane nuk përmban asnjë klauzolë kufizuese lidhur me zgjedhjen e furnizuesve të pajisjeve.

Edhe Ministria serbe e Informimit dhe Telekomunikacionit thotë se zgjedhja e kompanive që furnizojnë rrjetin, është një vendim biznesi i operatorëve dhe jo i shtetit.

Kjo ndodh në kohën kur një numër vendesh perëndimore kanë vendosur kufizime ose ndalesa ndaj kompanive kineze, duke i konsideruar ato me rrezik për sigurinë kombëtare.

Eksperti serb për çështje të gjeopolitikës dhe sigurisë, Nikolla Lluniq, thotë se zhvillimi i rrjetit 5G e vendos Serbinë përballë një prove strategjike.

“Pyetja është nëse Serbia i përket arkitekturës së sigurisë së Perëndimit, apo do të mbetet një nyje ku ndërthuren interesat kineze dhe ruse”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit thekson, po ashtu, se teknologjitë kritike janë më të sigurta kur përdoren vetëm nga furnizues të besueshëm.

“Në bashkëpunim me partnerët dhe aleatët tanë do të vazhdojmë të theksojmë se përfshirja ose kontrolli i furnizuesve të pabesueshëm, si Huawei dhe ZTE, në rrjetet 5G paraqet rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike, privatësinë dhe të drejtat e njeriut”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Institucionet amerikane i kanë shpallur si Huawei-n ashtu edhe ZTE-në kërcënim për sigurinë kombëtare - akuza që të dyja kompanitë i kanë hedhur poshtë.

As Huawei dhe as ZTE nuk iu përgjigjën.

Huawei, prej vitesh, është i pranishëm në projekte të ndryshme në Serbi, përfshirë sistemet e “qyteteve të mençura” dhe mbikëqyrjes masive.

Këto projekte kanë nxitur shqetësime në një pjesë të opinionit publik, për shkak të përdorimit të teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe rrezikut të keqpërdorimit të të dhënave personale.

A po tërhiqet Huawei nga bashkëpunimi me Telekomin e Serbisë?

Vendosja e rrjetit 5G në Serbi nisi në fund të vitit 2025, në një kohë kur shumë vende perëndimore kishin vendosur kufizime ose ndalesa për përdorimin e teknologjisë së Huawei-t, duke u thirrur në shqetësime për sigurinë kombëtare.

Sot, rrjeti 5G funksionon në disa qytete të Serbisë.

Atë po e zhvillojnë operatori shtetëror, Telekomi i Serbisë, si dhe dy operatorët privatë, Yettel dhe A1.

Marrëveshja e kredisë që Telekomi i Serbisë nënshkroi në maj me Bankën Amerikane të Eksportit dhe Importit (EXIM) për zhvillimin e rrjetit 5G, shihet nga Uashingtoni si një hap i rëndësishëm për të kufizuar atë që ai e quan “ndikim të dëmshëm të aktorëve të huaj”.

Kjo marrëveshje u mirëprit edhe në rundin e parë të Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë, në mes të korrikut.

Në deklaratën e përbashkët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, thanë se ndërtimi i rrjetit 5G me përdorimin e “furnizuesve të besueshëm”, do të forcojë sigurinë e sistemeve të komunikimit në Serbi.

A po largohet Telekomi i Srbisë nga Huawei?

Për zhvillimin e gjeneratave të mëparshme të rrjeteve celulare, Telekomi i Serbisë është mbështetur në pajisjet e Huawei-t.

Në vitin 2017, kompania shtetërore nënshkroi një marrëveshje strategjike me gjigantin kinez për vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës së internetit me brez të gjerë.

Marrëveshja për një garanci kredie prej 50 milionë dollarësh me Bankën Amerikane të Eksportit dhe Importit (EXIM) ngre pyetjen nëse Telekomi i Serbisë po u bashkohet kompanive të shumta perëndimore që kanë reduktuar ose ndërprerë bashkëpunimin me Huawei-n.

Telekomi i Serbisë nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj pyetjeje.

Kompania tha për Radion Evropa e Lirë se rrjeti i saj 5G bazohet aktualisht në pajisje të kompanisë suedeze, Ericsson, dhe asaj finlandeze, Nokia.

Ajo shtoi se marrëveshja me bankën amerikane siguron financim me kushte të favorshme për projekte që përdorin teknologjinë e kompanive amerikane Juniper dhe Cisco.

“Në të ardhmen planifikojmë ta zgjerojmë këtë marrëveshje edhe për produkte të tjera amerikane që përdorim”, tha Telekomi i Serbisë, duke kujtuar se ka një marrëveshje të ngjashme financimi edhe me Bankën Evropiane të Investimeve.

Kompania nuk konfirmoi nëse, së bashku me dy operatorët e tjerë mobilë në Serbi, është zotuar që në zhvillimin e rrjetit 5G të përdorë vetëm furnizues të besueshëm.

Një angazhim i tillë përmendet në një raport të Administratës amerikane për Tregtinë Ndërkombëtare, ku thuhet se marrëveshja me EXIM-in mund të shënojë një pikë kthese për forcimin e pozitës së furnizuesve amerikanë në tregun serb, por edhe për kufizimin e asaj që Uashingtoni e cilëson si “ndikim të dëmshëm të aktorëve të huaj”.

Lluniq thotë se për Shtetet e Bashkuara, rrjeti bazë i 5G-së nuk është vetëm një infrastrukturë telekomunikacioni.

“Për SHBA-në, bërthama e rrjetit 5G është edhe një element kontrolli mbi rrjedhën e të dhënave dhe, në fund të fundit, mbi mundësinë që aktorë të tretë të ndikojnë në funksionimin e kësaj infrastrukture në rast krize”, thotë ai.

Në një raport të publikuar në dhjetor të vitit 2025, Administrata amerikane për Tregtinë Ndërkombëtare vlerësoi se Huawei, tradicionalisht, ka pasur një pozitë të fortë në kompanitë shtetërore në Serbi, përfshirë Telekomin e Serbisë.

Në raport thuhej gjithashtu se, viteve të fundit, ka forcuar praninë e saj në treg edhe kompania tjetër kineze, ZTE.

Me kë bashkëpunojnë operatorët privatë?

Yettel, operatori i dytë që mori licencën nga rregullatori serb për të ofruar rrjetin 5G, tha për Radion Evropa e Lirë se po e zhvillon atë në partneritet me kompaninë suedeze, Ericsson.

Kompania theksoi se, prej vitesh, bashkëpunon me kompani të mëdha ndërkombëtare të teknologjisë dhe se furnizuesit i zgjedh bazuar në performancën, inovacionin, efikasitetin energjetik dhe standardet e sigurisë.

Yettel është në pronësi të grupit e& PPF Telecom Group, me kapital çek dhe arab.

Operatori tjetër privat, A1 Serbia, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, kompania mëmë, A1 Telekom Austria Group, njoftoi më herët se për zhvillimin e rrjetit 5G, përdor pajisje nga Nokia dhe Ericsson.

Serbia vlerëson rreziqet nga rrjeti 5G

Ministria serbe e Informimit dhe Telekomunikacionit tha për Radion Evropa e Lirë se operatorët që ofrojnë shërbime 5G, vendosin vetë për furnizuesit e pajisjeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas ministrisë, aktualisht, është duke u përgatitur Vlerësimi Kombëtar i Rrezikut për Rrjetin 5G, dokument që, mes tjerash, do t’i klasifikojë furnizuesit e pajisjeve sipas nivelit të rrezikut që paraqesin.

Ministria tha se kjo qasje nuk parashikon përjashtimin automatik të ndonjë kompanie, por se bazohet në vlerësimin e rrezikut, një praktikë që, sipas saj, është në përputhje me qasjen e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ajo shtoi se do të vlerësohet edhe shkalla e diversifikimit të furnizuesve të pajisjeve 5G, me synim uljen e varësisë nga një prodhues i vetëm dhe rritjen e qëndrueshmërisë së rrjeteve.

Ministria serbe theksoi se, gjatë këtij procesi, po ndjek praktikat dhe rekomandimet ndërkombëtare, përfshirë ato të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë.

Megjithatë, eksperti për gjeopolitikë dhe siguri, Lluniq, vlerëson se mesazhet zyrtare dhe veprimet e autoriteteve serbe nuk janë gjithmonë në të njëjtën linjë.

“Deklaratat për harmonizimin me praktikat evropiane janë një diskurs i destinuar për Brukselin dhe Uashingtonin, ndërsa takimet me Huawei-n pasqyrojnë një realitet paralel, që synon ruajtjen e marrëdhënieve me Pekinin”, thotë ai.

Lluniq i referohet takimit të ministrit serb të Informimit dhe Telekomunikacionit, Boris Bratina, me presidentin për çështje globale qeveritare të Huawei-t, Tommy Zhou, në mars, gjatë Kongresit Botëror të Telefonisë Mobile në Barcelonë.

Sipas njoftimit të ministrisë, në atë takim u diskutua për zhvillimin e rrjeteve 5G, bashkëpunimin në fushën e qyteteve të mençura, inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike.

“Një metodologji e tillë, pa koordinim, është pikërisht ajo që e bën Serbinë një partner të paparashikueshëm”, vlerëson Lluniq.

“Pra, Serbia nuk po zgjedh një anë, por po përpiqet t’i mbajë njëkohësisht të dyja drejtimet e bashkëpunimit”, shton ai.

Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia e ka detyrim ta harmonizojë legjislacionin e saj me atë të BE-së.

Ligji për Komunikimet Elektronike, i miratuar në vitin 2023, vendosi kërkesa më të detajuara për sigurinë e rrjeteve elektronike.

Dy vjet më vonë, Serbia miratoi edhe një rregullore që përcakton detyrimet e operatorëve dhe furnizuesve të pajisjeve për menaxhimin e rreziqeve, sigurinë e rrjeteve 5G dhe diversifikimin e furnizuesve.

Nga Telekomi i Serbisë thanë për Radion Evropa e Lirë se, gjatë zhvillimit të rrjetit 5G, kompania do të përpiqet të jetë në përputhje me drejtimet dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian.

Çfarë parashikojnë masat e Bashkimit Evropian?

Për t’i ulur rreziqet që lidhen me sigurinë e rrjeteve 5G, Bashkimi Evropian miratoi në vitin 2020 një paketë masash të njohur si EU 5G Toolbox, e cila vendos kritere të rrepta për përzgjedhjen dhe vlerësimin e furnizuesve të pajisjeve.

Edhe pse dokumenti nuk përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë kompani kineze, Komisioni Evropian, në vitin 2023, i cilësoi zyrtarisht Huawei-n dhe ZTE-në si furnizues që paraqesin rrezik më të lartë për sigurinë sesa prodhuesit e tjerë të pajisjeve 5G.

Atëkohë, komisionari evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare që t’i largonin pa vonesa këto kompani nga rrjetet e tyre kombëtare.

Huawei e cilësoi këtë thirrje si një vendim politik dhe hodhi poshtë pretendimet se teknologjia e tij paraqet rrezik për sigurinë.

Deri më tani, vetëm disa vende evropiane e kanë përfunduar plotësisht largimin e pajisjeve të Huawei-t dhe ZTE-së nga rrjetet e tyre, ndërsa shumica janë ende në proces të zëvendësimit.

Ky proces është dëshmuar të jetë i kushtueshëm dhe teknikisht kompleks, ndaj shumë shtete i kanë shtyrë afatet për përfundimin e tij. /REL

Lajmi e plotë mund ta lexoni KETU: