Fol: Shumica e vendimeve të Inspektoratit të Punës anulohen nga gjykatat
Vonesat në trajtimin e kontesteve të punës dhe numri i lartë i vendimeve të Inspektoratit të Punës, që anulohen nga gjykatat, vazhdojnë të nxjerrin në pah sfidat e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Këto janë disa nga gjetjet e raportit të Lëvizjes Fol, “Efikasiteti gjyqësor në trajtimin e kontesteve të punës në Kosovë”, i prezantuar të martën, i cili bazohet në monitorimin e 57 rasteve gjatë periudhës 2021–2025.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive nga Lëvizja Fol, bëri prezantimin e këtyre gjetjeve dhe tha se në analizë janë përfshirë vetëm rastet që paraprakisht kanë pasur një vendim nga Inspektorati i Punës, ndërsa monitorimi është bërë në katër gjykata.
“Çdo vendim, çdo rast gjyqësor që është përzgjedhur është dashur të ketë një vendim të Inspektoratit të Punës në mënyrë që të jetë pjesë e kësaj analize. Do të thotë janë të përfshira vendimet nga katër gjykata: Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit, Komerciale – e shkallës së parë dhe shkallës së dytë. Ndërkaq sa i përket indikatorëve kohorë, kohëzgjatja e procedurave, natyra e kontestit dhe rezultati i shqyrtimit gjyqësor janë pjesë përbërëse e këtij raporti. Shpërndarja e 57 rasteve sipas gjykatave: do të thotë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ kanë qenë 32 raste, Gjykata Komerciale – shkalla e parë kanë qenë 13 raste, Gjykata e Apelit – 7, dhe Gjykata Komerciale – shkalla e dytë kanë qenë 5 raste. Nga 57 raste, vetëm 12 kanë pasur vendim të shkallës së dytë, domethënë 7 nga Apeli, 5 nga Dhoma e shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale, dhe asnjë vendim i Supremes nuk është evidentuar”, prezantoi ajo. Ndër gjetjet kryesore, ishin 5 raste me vonesa më të theksuara dhe 4 nga këto 5 raste Inspektorati i Punës kishte marrë vendime për çështje që konsiderohen si kompetencë të gjykatave.“Një nga gjetjet kryesore, rastet më ekstreme i kemi paraqitur, janë 5 rastet me vonesat më të theksuara. Do të thotë një është në Gjykatën Themelore që ka zgjatur 6.65 vite, Gjykata Komerciale me 4.39 vite, Gjykata Komerciale do të thotë prapë e kemi rastin tjetër me 4.38, dhe vazhdojnë të tjerat janë kohëzgjatja më e madhe për këto lëndë. Vlen të theksohet se në 4 nga 5 raste, Inspektorati i Punës kishte vendosur për çështje që gjykatat i konsiderojnë kompetencë të tyre. Domethënë kthimin në vendin e punës, kompensime dhe anulim vendimesh. Gjykatat anulojnë shumicën e vendimeve të kontestuara. Do të thotë nga 57 raste që ne kemi monitoruar, ose në përqindje i bie 82.5%, gjykatat kanë aprovuar kërkesëpaditë kundër vendimeve të Inspektoratit të Punës”, tha Nimani-Demolli, raporton EO.
Qerim Ademaj, gjyqtar i Gjykatës Supreme tha se Ligji për Procedurën Kontestimore i trajton kontestet e punës si procedura me prioritet dhe gjykatat janë të obliguara t’i trajtojnë me urgjencë.
“Unë mendoj që Ligji i Procedurës Kontestimore e trajton saktë edhe në mënyrë të drejtë se çfarë prioriteti kanë rastet që lidhen me kontestet e punës. Për shkak se në qoftë se i referohemi Ligjit të Procedurës Kontestimore, kjo trajtohet si procedurë e veçantë dhe ligji decidivisht e përcakton se çdo kontest që lidhet me shkeljen nga drejtat e marrëdhënies së punës, nga ana e gjykatës duhet të trajtohet me prioritet, ku përveç se ka paraparë prioritetin, ka paraparë edhe afate më të shkurtra se sa procedura e përgjithshme kontestimore që lidhet qoftë me mjetin e goditjes, qoftë me përmbushjen e detyrimit që rezulton sipas vendimit gjyqësor. Në këtë aspekt pra, gjykatat sipas ligjit janë të obliguara që këto raste t’i trajtojnë me urgjencë. A trajtohen rastet me urgjencë? Edhe unë po pajtohem me gjetjet të cilat janë konstatuar në raportin tuaj, për shkak se domethënë kohëzgjatja prej dy vite e më shumë për me marrë një epilog përfundimtar te instanca e parë është jashtë standardit dhe jashtë asaj që trajtohet që është gjykim i arsyeshëm për këtë lloj kontesti”, tha ai.
Ndërkaq Vesel Zhinipotoku, drejtor i Departamentit për cilësinë e inspektimeve, nga Inspektorati Qendror i Punës, tha se gjatë vitit të kaluar inspektorati ka pranuar mbi 1600 ankesa që lidhen me shkeljen e të drejtave të punëmarrësve.
“Fatmbarësisht, mund të themi që edhe pse kontestet e marrëdhënies së punës në vazhdimësi po e dini si organ i trajtojmë, po e përmend vetëm një shifër vetëm vitin e kaluar, ne kemi pranuar mbi 1.600 ankesa që kanë të bëjnë me mohime të të drejtave të punëmarrësve edhe në realision me punëdhënësit. Edhe në këtë drejtim, domethënë jemi dalë me vendime. Mirëpo bazuar në vendimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2022, një aktgjykim i cili vërtet na ka munguar ndoshta në interpretim. Thjesht është një aktgjykim i cili dispozitat e të cilit fare dhe qartë e shpjegojnë cilat janë kompetencat e vendimmarrjes së njërit apo edhe organit tjetër”, tha ai.
“Është e vërtetë që edhe nga gjetjet të cilat ju i prezantuat në raport, vërehet që një numër jashtëzakonisht i lartë në përqindje i vendimeve të Inspektoratit të Punës pas apelimit në gjykatat kompetente janë kthyer ose në rishqyrtim apo edhe janë hudhur poshtë. Mirëpo, vërtet ka ekzistuar një pasiguri juridike edhe te palët, po edhe ndoshta edhe te ne, apo mos themi te ne si organe kështu në përgjithësi, në kuptimin e kompetencave në vendimmarrje”, u shpreh ai.