Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 578.3 milionë euro, BE-ja mbetet partneri kryesor tregtar

Tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë ka vijuar me rritje të deficitit tregtar gjatë muajit qershor 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti arriti në 578.3 milionë euro, ose 16.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishte 498.3 milionë euro.

Gjatë muajit qershor, eksportet e mallrave u vlerësuan në 102.0 milionë euro, ndërsa importet arritën në 680.3 milionë euro.

Krahasuar me një vit më parë, eksportet u rritën për 26.9%, ndërsa importet për 17.6%.

Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet ishte 15%.

Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe produktet e tyre me 27.4% të totalit.

Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7%, plastika, goma dhe produktet e tyre me 10.6%, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7% dhe produktet minerale me 7.1%.

Sa u përket importeve, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale me 15.2%, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13%, mjetet e transportit me 12%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9%, si dhe metalet bazë me 9.8%.

Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, duke përbërë 31.9% të eksporteve të përgjithshme dhe duke shënuar rritje prej 17.7%.

Gjermania vazhdon të jetë destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës në BE me 10.1%, e ndjekur nga Holanda me 3.8% dhe Italia me 3.1%.

Nga ana tjetër, importet nga vendet e BE-së arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8% të importeve totale, me një rritje prej 22.2%. Peshën më të madhe e kanë importet nga Gjermania, Italia dhe Polonia.

Sipas ASK-së, eksportet drejt vendeve të CEFTA-s gjatë qershorit arritën në 44 milionë euro, ose 43.1% të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar rritje prej 19.3%.

Partnerët kryesorë për eksport ishin Maqedonia e Veriut me 16.7%, Shqipëria me 14.3%, Mali i Zi me 5.7% dhe Serbia me 4%.

Edhe importet nga vendet e CEFTA-s u rritën me 19.3%, duke arritur në 98.7 milionë euro, që përfaqësojnë 14.5% të importeve totale.

Pjesëmarrjen më të madhe e kishin Maqedonia e Veriut me 5.4%, Shqipëria me 4.8% dhe Serbia me 3%.

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të tjera arritën në 25.5 milionë euro, ose 25% të totalit.

Në këtë grup, Zvicra mbetet partneri më i rëndësishëm me 10% të eksporteve, e ndjekur nga Turqia me 5.4%.

Ndërkohë, importet nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s kapën vlerën e 276.7 milionë eurove, ose 40.7% të importeve të përgjithshme.

Kina renditet partneri kryesor me 15.1% të importeve në këtë kategori, ndërsa Turqia zë vendin e dytë me 11.6%.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).