Premtoi lopë, serra dhe terminë për viza - aktakuzë ndaj gruas në Pejë që përfitoi mbi 11 mijë euro
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës me inicialet Gj.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mashtrimi”.
Në njoftim thuhet se, sipas aktakuzës, e pandehura në periudha të ndryshme kohore gjatë viteve 2022-2024, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate joqeveritare, ka mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh duke u premtuar përfitimin e donacioneve, përfshirë krerë gjedhësh, sera bujqësore dhe ndërmjetësim për sigurimin e terminëve për viza, në këmbim të pagesave të ndryshme, transmeton Klankosova.tv.
Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën e përgjithshme prej 11 mijë e 650 eurove.
“Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën Gj.M. ta shpallë fajtore për veprën penale që i vihet në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftim.