Italia hap qendrën e parë kundër varësisë nga rrjetet sociale, synon të ndihmojë grup-moshën 10–25 vjeç

Firence do të bëhet shtëpia e qendrës së parë të specializuar në Itali për trajtimin e varësisë nga rrjetet sociale dhe promovimin e përdorimit të ndërgjegjshëm të teknologjisë digjitale.

Projekti i ri në Itali, konsiderohet iniciativa e parë e këtij lloji për t’iu përgjigjur varësisë nga bota digjitale, një fenomen që prek kryesisht të rinjtë dhe ka pasoja sociale e kulturore, shkruan burimi Euronews transmeton Gazeta Shneta.Këshilltarja për Politikat Rinore, Letizia Perini, tha se teknologjia është pjesë e pandashme e jetës së të rinjve, por theksoi se ata duhet të mbështeten për të gjetur një ekuilibër mes kohës së kaluar në internet dhe aktiviteteve si marrëdhëniet shoqërore, sporti, kultura dhe përvojat e përbashkëta.

Ndërkohë, debati për mbrojtjen e të rinjve në internet po intensifikohet në mbarë botën. Australia ishte vendi i parë që miratoi legjislacion të rreptë, duke detyruar platformat të verifikojnë moshën e përdoruesve. Në Evropë, Franca është bërë shteti i parë që ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, masë që pritet të hyjë në fuqi në shtator.

Edhe vende të tjera evropiane, si Greqia, Sllovenia, Suedia dhe Spanja, po shqyrtojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka propozuar kufizimin e përdorimit të tyre gjatë natës për adoleshentët 16 dhe 17 vjeç.

Ndryshe nga këto masa kufizuese, Italia po fokusohet te parandalimi. Qendra e re, e cila do të nisë funksionimin pas verës, synon të edukojë të rinjtë për përdorimin e shëndetshëm të teknologjisë dhe të shmangë abuzimin me ekranet dhe platformat digjitale.

Mes të tjerash, kjo qendër do të ofrojë programe këshillimi, shërbime dëgjimi, punëtori edukative dhe aktivitete që nxisin ndërveprimin social përmes lojërave, punëve praktike dhe aktiviteteve në grup. Ajo do të jetë e hapur për të rinjtë nga mosha 10 deri në 25 vjeç, si edhe për prindërit dhe edukatorët.

Në rastet më të ndërlikuara, si izolimi social, tërheqja nga shoqëria ose shqetësimet psikologjike, autoritetet shëndetësore do të koordinojnë ndërhyrjen me shërbimet përkatëse.

Sipas drejtuesve të projektit, qëllimi nuk është vendosja e ndalimeve, por fuqizimi i të rinjve për të përdorur teknologjinë në mënyrë të vetëdijshme dhe të balancuar.