Mbahet seanca gjyqësore për të akuzuarit për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviqit, të akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2023.

Dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta, njësoj si në seancën fillestare.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, provat e mbledhura gjatë hetimeve dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprat penale për të cilat ngarkohen.

Prokuroria ka deklaruar se hetimet kanë nxjerrë në pah edhe rolin e qeverisë së Serbisë në përgatitjet e sulmit.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë sekuestruar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Gjithashtu, sipas saj, analizat forenzike, duke përfshirë ekzaminimet e ADN-së dhe ekspertizat e tjera, i lidhin të akuzuarit me vendin e ngjarjes.

Në anën tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata një shqyrtim objektiv të çështjes dhe duke argumentuar se aktakuza nuk përshkruan qartë veprimet konkrete të klientëve të tyre.

Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, së bashku me Igor Dimoviqin, akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, Jovan Viqentijeviq përballet edhe me akuzën për spiunazh.

Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i kryer në fshatin Varragë të Zubin-Potokut në nëntor 2023, shkaktoi dëme në një nga infrastrukturat më të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë. Seanca e sotme pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave dhe shqyrtimin e argumenteve të palëve.