Leopardi fut panik në një qytet të Indisë, sulmon tre persona para se të kapet
Një leopard shkaktoi panik në një qytet të shtetit Rajasthan në Indi, pasi sulmoi tre persona, përfshirë një arkëtar, pasi kishte hyrë në zonën urbane nga pylli përreth.
Sipas raportimit të Mirror, leopardi mashkull, rreth katër vjeç, u pa duke endur nëpër rrugët e qytetit Todaraisingh, ku plagosi fillimisht dy persona dhe më pas sulmoi një arkëtar.
Autoritetet organizuan një operacion që zgjati afro pesë orë për kapjen e kafshës.
Pas një ndjekjeje të gjatë, veterinerët arritën ta neutralizonin leopardin me një injeksion qetësues, ndërsa ai u largua më pas nga zona e banuar.
Autoritetet indiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar se si grabitqari arriti të hynte në qytet.
Sipas tyre, pyjet përreth Todaraisingh janë habitat natyror i një numri të madh leopardësh, çka rrit rrezikun e incidenteve të tilla në zonat pranë pyjeve. /telegrafi