Policia ndëshkon pesë shoferë për shkelje të rënda në trafik në Ferizaj

Zyrtarët policorë të Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, më 24.07.2026, në dalje të autostradës, në fshatin Bibaj të Ferizajt, kanë ndëshkuar pesë shoferë të cilët kanë tejkaluar kolonën e automjeteve duke përdorur shiritin emergjent në drejtim të rrethrrotullimit.

Shoferët e ndëshkuar janë: S.TH. (27 vjeç), drejtues i një veture Opel Astra, ngjyrë hiri, me targa vendore; M.M. (22 vjeç), drejtues i një veture Mercedes, ngjyrë hiri, me targa të huaja; SH.I. (26 vjeç), drejtues i një veture Mercedes, ngjyrë e zezë, me targa vendore; G.A. (30 vjeç), drejtues i një veture BMW, ngjyrë kafe, me targa vendore; A.SH. (67 vjeç), drejtues i një veture Audi Q5, ngjyrë e zezë, me targa vendore.

Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, ndaj katër shoferëve me patentë shoferi vendore është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, janë vendosur 3 pikë negative dhe është shqiptuar masa mbrojtëse e heqjes së lejes së drejtimit për një vit.

Ndërkaq, ndaj shoferit me patentë shoferi të huaj është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, si dhe masa e ndalimit të drejtimit të mjetit për një vit në territorin e Republikës së Kosovës.

Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe aktivitetet e intensifikuara me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë dhe zbatimit të plotë të dispozitave ligjore në trafik. Policia u bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo shkelje apo rrezik në trafikun rrugor përmes numrave dhe kanaleve zyrtare. /Zëri