KFV Prishtina zyrtarizon partneritet me FC Andorra, hapet edhe një rrugë e re drejt futbollit profesionist spanjoll

KFV Prishtina ka zyrtarizuar një tjetër partneritet strategjik me futbollin spanjoll, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me FCA International, akademinë ndërkombëtare të FC Andorra, një projekt që krijon një rrugë të drejtpërdrejtë zhvillimi për futbollistet dhe futbollistët e talentuar nga Kosova dhe rajoni, drejt një prej sistemeve më të avancuara të futbollit në Evropë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Flamur Kelmendi, Sekretar i Përgjithshëm i KFV Prishtina, dhe Marc Balsells, përfaqësues i FCA International, duke shënuar fillimin e një bashkëpunimi afatgjatë që synon të ndërtojë ura të reja ndërmjet Kosovës dhe Katalunisë përmes futbollit.

Ky është bashkëpunimi i dytë i rëndësishëm që KFV Prishtina ndërton me futbollin spanjoll. Pas partneritetit rajonal me FC Barcelona Academy, klubi tashmë zgjeron rrjetin e tij ndërkombëtar edhe me FC Andorra, duke konfirmuar strategjinë për t’u ofruar futbollistëve kosovarë qasje të drejtpërdrejtë në akademitë më cilësore të Spanjës.

Nëpërmjet këtij partneriteti, vajzat dhe djemtë nga Kosova do të kenë mundësinë të stërviten në zemër të Katalunisë, pranë Club Gimnastic Manresa, akademisë së afiluar të FC Andorra dhe një prej institucioneve më të respektuara të zhvillimit të futbollistëve të rinj në rajon. Me më shumë se 50 vjet traditë, Gimnastic Manresa ka ndërtuar një histori të jashtëzakonshme në zhvillimin e talenteve që më vonë kanë veshur fanellat e klubeve si FC Barcelona, Real Madrid, Villarreal, Espanyol dhe shumë skuadrave të tjera elitare.

Përmes këtij bashkëpunimi, futbollistët nga Kosova do të kenë qasje në programe elitare prove dhe zhvillimi, programe tre mujore dhe sezonale me akomodim nga grupmoshat U9 e tutje, programin profesional U23, stërvitje me performancë të lartë, vlerësime profesionale nga stafi teknik i FC Andorra, si dhe programe që kombinojnë futbollin me shkollimin dhe zhvillimin personal. Mbi të gjitha, partneriteti krijon një rrugë reale drejt futbollit evropian, duke i ekspozuar talentet kosovare në një mjedis profesional ku vlerësimi dhe avancimi bazohen në meritë.

Rëndësia e kësaj marrëveshjeje është edhe më e madhe për faktin se FC Andorra është pjesë e sistemit të futbollit spanjoll, një prej kampionateve më prestigjioze dhe më konkurruese në botë. Për një futbollist të ri nga Kosova, hyrja në këtë ekosistem nënkupton jo vetëm stërvitje sipas metodologjisë spanjolle, por edhe mundësinë për t’u ndjekur nga trajnerë, skautë dhe klube që operojnë në një nga tregjet më të zhvilluara të futbollit evropian. Për shumë të rinj, kjo mund të jetë ura që lidh talentin me futbollin profesionist.

Ky partneritet mbështetet mbi një marrëdhënie të krijuar vite më parë në kuadër të projektit me UEFA Foundation for Children. Në vitin 2023, me mbështetjen e FC Barcelona, ekipi U17 i KFV Prishtina udhëtoi në Manresa, ku zhvilloi një ndeshje miqësore kundër vajzave të FC Andorra. Ajo eksperiencë dëshmoi vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit kulturor dhe zhvillimit elitar të futbollistëve. Besimi dhe vizioni i përbashkët i krijuar gjatë asaj vizite kanë evoluar sot në një partneritet zyrtar me perspektivë afatgjatë.

Për KFV Prishtina, kjo marrëveshje është shumë më tepër se një memorandum bashkëpunimi. Ajo përfaqëson një investim në të ardhmen e futbollit kosovar dhe një angazhim të vazhdueshëm për t’u krijuar vajzave dhe djemve mundësi që deri dje konsideroheshin të paarritshme. Klubi vazhdon të dëshmojë se zhvillimi i talenteve nuk kufizohet vetëm në rezultatet sportive, por ndërtohet përmes partneriteteve strategjike me institucione që ndajnë të njëjtin vizion për edukimin, profesionalizmin dhe ekselencën.

Detajet mbi regjistrimet, datat e programeve dhe procesin e përzgjedhjes së futbollistëve do të bëhen publike në javët në vijim.

Nga Kosova në Kataluni. Një rrugë e re sapo është hapur. /telegrafi