Spitali i Pejës kërkon urgjentisht mbështetje institucionale për largimin e mbeturinave

Spitali i Përgjithshëm i Pejës të mërkurën ka bërë apel urgjent për mbështetje institucionale për largimin e mbeturinave, situatë e cila sipas tyre po rrezikon funksionimin normal të institucionit dhe sigurinë e pacientëve, stafit shëndetësor dhe qytetarëve.

Në një reagim në Facebook, spitali ka thënë se ofron shërbime 24 orë në ditë dhe për këtë arsye prodhon çdo ditë sasi të mëdha mbeturinash.

“Këto mbeturina nuk mund të mbahen për një periudhë të gjatë në hapësirat e spitalit, pasi krijojnë rrezik për cenimin e kushteve higjieno-sanitare dhe shtojnë mundësinë e përhapjes së infeksioneve, duke vënë në rrezik shëndetin e pacientëve, stafit dhe të gjithë qytetarëve që marrin shërbime në spital”, thuhet në reagim.

Tutje, kanë thënë se e kuptojnë situatën e krijuar me deponinë në Sferkë, e cila është përfshirë në flakë, por kanë bërë apel tek institucionet lokale dhe qendrore të marrin masa urgjente për largimin e rregullt të mbeturinave.

“Në situata të tilla, mbrojtja e shëndetit publik duhet të jetë prioritet mbi çdo sfidë tjetër operative. Nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar, por trajtim prioritar për një institucion që ofron shërbime jetike dhe që, për shkak të natyrës së veprimtarisë së tij, nuk mund të funksionojë në kushte ku largimi i mbeturinave ndërpritet”, vijon reagimi.

Spitali thekson se gjithnjë i ka përmbushur me rregull të gjitha obligimet kontraktuale dhe financiare ndaj ofruesit të shërbimit të grumbullimit dhe largimit të mbeturinave.

“Për rrjedhojë, situata e krijuar nuk është pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të spitalit, por një problem që kërkon ndërhyrje urgjente dhe koordinim institucional. Presim që institucionet kompetente ta trajtojnë këtë çështje me urgjencën që kërkon, në interes të mbrojtjes së shëndetit publik dhe garantimit të funksionimit të pandërprerë të shërbimeve shëndetësore”, thuhet në përfundim të reagimit.