Eqrem Avdullahu pranon fajësinë për kanosjen ndaj Hysni Gucatit, aktgjykimi më 23 korrik
I akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Drenas.
Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.
I akuzuari Eqrem Avdullahu tha se e pranon fajësinë.
“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, tha ai.
Avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zbeh peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar rasti.
“Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, tha ai.
Gjyqtari Shefqet Baleci tha se gjykata e miraton pranimin e fajësisë, ndërsa aktgjykimi do të shpallet në seancën e radhës.
“Miratohet pranimi i fajësisë. Gjykata sot nuk mund ta bëjë shpalljen e aktgjykimit. Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 23.07.2026, në ora 11:30”, tha ai.
Sipas prokurorës Albiona Musaj, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, Eqrem Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin.
Ajo tha se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vjet si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ndërsa më pas Avdullahu, nga llogaria e tij personale në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.
Sipas Prokurorës, me këtë koment tek i dëmtuari është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën, me ç’rast i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”. /EO