Gjykimi për lëndimin e rëndë trupor në “Gizzi Grill”, i akuzuari thotë se u largua pasi kuptoi se po vepronte gabim

Në seancën e së premtes në gjykimin ndaj B.K. dhe B.Ç. për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, u dha mbrojtja e të akuzuarve dhe u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve.

I akuzuari B.K. deklaroi se do të mbrohet në heshtje, ndërsa B.Ç. tha se dëshiron të japë deklaratë.

B.Ç. deklaroi se ditën kritike kishte shkuar në lokalin “Gizzi Grill” për të pirë kafe, pasi ishte ftuar nga i akuzuari B.K.

Sipas tij, B.K. kishte pasur një përplasje verbale me dëshmitarin E.S., pas së cilës ky i fundit i kishte kërkuar të largohej nga tavolina. Në atë moment, sipas B.Ç., i akuzuari D.RR. (ndaj të cilit procedura është veçuar) e kishte goditur E.S.

B.Ç. tha se më pas shoku i E.S. kishte ardhur drejt tij dhe e kishte kapur, ndërsa ai i kishte duart në xhepa dhe nuk kishte pasur qëllim të përfshihej në konflikt.

Ai deklaroi se kishte reaguar instinktivisht në mbrojtje dhe se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt, duke shtuar se nuk kishte pasur armë apo mjet të rrezikshëm.

Sipas tij, konfliktin fizik e kishte nisur i akuzuari D.RR., ndërsa tha se nuk i kujtohet sa herë e kishte goditur të dëmtuarin, pasi ngjarja kishte ndodhur në një kohë shumë të shkurtër.

“Kur e kam kuptuar që jam duke vepruar në mënyrë të gabuar, jam larguar vetë nga vendi i ngjarjes”, deklaroi B.Ç.

Më pas, palët paraqitën fjalët përfundimtare.

Prokurori Kastriot Berisha tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës. Ai u shpreh se pamjet e kamerave tregojnë se të pandehurit kishin shkuar në lokal të përgatitur dhe me qëllim sulmi ndaj të dëmtuarit.

Prokurori kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, e përkrahu fjalën e prokurorit, duke deklaruar se deklaratat e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve e sqarojnë rastin. Ai kërkoi dënimin e të akuzuarve dhe tha se pala e dëmtuar mbetet pranë kërkesës pasurore-juridike.

Mbrojtësja e B.K., avokatja Saranda Keqekolla, kundërshtoi pretendimet e prokurorisë, duke thënë se nuk është dëshmuar se të akuzuarit ishin takuar paraprakisht, kishin ndarë role apo kishin planifikuar sulmin.

Ajo tha se B.K. nuk e kishte nisur konfliktin dhe se edhe ai ishte goditur nga të dëmtuarit. Avokatja kërkoi që vepra penale të rikualifikohet në “Pjesëmarrje në rrahje”.

Ndërsa mbrojtësi i B.Ç., avokati Heset Mazrekaj, tha se ngjarja nuk kishte qenë e planifikuar, por kishte ndodhur rastësisht. Sipas tij, klienti i tij ishte përfshirë në konflikt pa dëshirë dhe pa vullnet.

Në fund, gjyqtari i rastit, Bujar Ahmeti, shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi një datë tjetër për shpalljen e aktgjykimit.

Gjykatësi refuzoi kërkesat për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarve, duke bërë të ditur se për këtë çështje do të vendosë me aktvendim të veçantë pas shpalljes së aktgjykimit.

Në seancën fillestarë të mbajtur më 1 dhjetor 2025, të akuzuarit B.K., dhe B.Ç., janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për lëndim të rëndë trupor.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 tetor 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 në një lokal në Prishtinë, në bashkëkryerje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të të akuzuarit B.K., me dëshmitarin E.Sh., lidhur me një vajzë, pasi dy javë më herët i akuzuari K., fjaloset me dëshmitarin E.Sh., në një diskotekë dhe tenton ta sulmojë, në momentin që e sheh dëshmitarin duke qëndruar me të dëmtuarin A.L., në lokal, së bashku me të pandehurit B.Ç., dhe D.Rr., (për të cilin është veçuar procedura), afrohen tek tavolina ku po qëndronte i dëmtuari dhe dëshmitari, me këtë rast pasi i akuzuari Rr., fillon ta godasë me shishe në kokë dëshmitarin E., i pandehuri Ç., nga ana tjetër fillon ta godasë me grushte në kokë dhe pjesë të trupit- të dëmtuarin A.L.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri K., fillimisht e godet me grushte dhe shqelma, dhe më pas e nxjerr thikën dhe e godet të dëmtuarin në pjesën e barkut, duke i shkaktuar dëmtime trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 186, par.3, pika 3.1 lidhur me par.1, pika 3.1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi