Hamza: Kosovës i duhen sa më shpejt institucionet e reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovën, Ragnar Almqvist, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, integrimin evropian dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës.

Sipas njoftimit të PDK-së, Hamza shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke vlerësuar edhe prioritetet e saj si kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se Irlanda mbetet një model frymëzues për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën politike pas zgjedhjeve, ku Hamza nënvizoi nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit.

Po ashtu, ai tha se PDK mbështet avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian dhe kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Në fund, Hamza ritheksoi se orientimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi i plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. /Zëri