Pengimi i aeroplanëve me laser në Aeroportin e Prishtinës, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se ka inicuar rast për veprën penale “Rrezikimi i sigurisë së aviacionit civil”, pas raportimeve për incidentin me rreze laserike ndaj një mjeti fluturues.
Në një përgjigje për “Zërin”, Prokuroria ka njoftuar se me autorizim të prokurorit të rastit, Policia e Kosovës dhe njësitet përkatëse janë duke zhvilluar hetime dhe duke mbledhur provat e nevojshme.
“Pas pranimit të informatës lidhur me një incident me dritë laserike ndaj një mjeti fluturues, Prokurori i Shtetit ka iniciuar veprën penale ‘Rrezikimi i sigurisë së aviacionit civil’. Me autorizim të prokurorit të çështjes, Policia e Kosovës dhe njësitet përkatëse janë duke mbledhur dhe grumbulluar provat e nevojshme lidhur me këtë rast. Për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë çështje, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Hetimet erdhën pasi disa aeroplanë, që u nisën nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, u raportua se u rrezikuan nga rreze laserike, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e personave përgjegjës. /Zëri