Dyshohet se kanosi vëllain, arrestohet 34-vjeçari në Ferizaj dhe i sekuestrohen armë

Një 34-vjeçar është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet se ka kanosur vëllain e tij pas një mosmarrëveshjeje lidhur me bizneset familjare. Gjatë aksionit të Policisë janë sekuestruar edhe armë dhe municion në Ferizaj.

Sipas njoftimit të PK-së, rasti është raportuar më 15 korrik, rreth orës 16:30, në nënstacionin policor në Reçan të Prizrenit, ku ankuesi ka deklaruar se ishte kanosur nga vëllai i tij.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, hetuesit e Sektorit të Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë kryer kontrolle në dy prona të të dyshuarit, një banesë në Ferizaj dhe një shtëpi në fshatin Koshare të Ferizajit.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar: një pushkë gjuetie; 31 fishekë për pushkë gjuetie; një karikator i zbrazur i pushkës së gjuetisë; një pushkë ajrore e dëmtuar, pa shënime identifikuese.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit B.SH., rreth 34 vjeç, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti është iniciuar për veprat penale "Kanosja" dhe "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".