Kallëzim penal me kërkesë për arrestim nga INTERPOL-i për ministren serbe
Këtë të premte në Prokurorinë Speciale të Kosovës do të dorëzohet një kallëzim penal ndërkombëtar ndaj ministres së Administratës Shtetërore të Serbisë, Snezhana Paunoviq.
Kallëzimi penal do të bëhet nga avokati Gent Gjini, ku përmes kallëzimit penal do të kërkohet edhe lëshimi i një fletarrestimi ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, lidhur me deklaratën e ministres serbe, për të cilën ai pretendon se ka thënë se “do ta spastronte etnikisht Kosovën po të kishte qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1999”, shkruan Zeri.info.
Avokati thekson se kallëzimi penal do të parashtrohet për dyshimet mbi cenimin e rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.
Gjini ka bërë të ditur për “Zërin” se, përveç dorëzimit të kallëzimit në Prokurorinë Speciale, një kopje e tij do t’u dërgohet edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë dhe zyrave të Kombeve të Bashkuara. /Zëri