Zejnullah Gashi nis zyrtarisht detyrën si kryeprokuror i shtetit, mban fjalim të shkurtë

Zejnullah Gashi ka pranuar sot zyrtarisht detyrën si kryeprokuror i ri i shtetit.

Në ceremoninë e pranimit të detyrës, Gashi ishte i shkurtë në fjalimin e tij, mirëpo u zotua se do të punoj në forcimin e sundimit të ligjit.

Zejnullah Gashi po hyn për herë të parë në objektin e Kryprokurorit të Shtetit, si njeriu kryesor udhëheqës i institucionit.

Pas afro katër vitesh, Kosova është bërë me kryeprokuror me mandat të plotë.

Zyrtarisht, detyrën Gashit ia dorëzoi Agron Qalaj, që deri dje mbante pozitën e ushtruesit të detyrës.

“Zyrtarisht ua dorëzoj dhe ju ftoj që të merrni në menaxhim dhe udhëheqjen sipas dispozitës ligjore të funksionit të kryeprokurorit të shtetit. Urime dhe suksese në mandatin kushtetues…”, ka thënë Qalaj.

E me ta pranuar detyrë, Gashi ishte i shkurtë në deklarimin e tij.

“Falënderoj kolegët për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i tëgjithëve dhe, së bashku, do të punojmë për forcimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Gashi.

Gashi nuk pranoi asnjë pyetje nga gazetarët e pranishëm në konferencë.

Bashkë me Qalajn dhe përfaqësues të tjerë të zyrës së kryeprokurorit, Gashi mbajti një takim pa praninë e mediave.

Gjatë ditës së djeshme, Zejnullah Gashi u dekretua për kryeprokuror nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Fillimisht, ai iu nënshtrua një konkursi të Këshillit Prokurorial, nga i cili doli si kandidati më i poentuar.

Kosova mbeti pa kryeprokuror që nga prilli i vitit 2022, kur i skadoi mandati Aleksandër Lumezit.

Nga ajo kohë, u zhvillua edhe një konkurs, mirëpo ish-Presidentja, Vjosa Osmani, refuzoi ta dekretonte Blerim Isufajn, i cili i shkoi si emër i propozuar nga Këshilli Prokurorial.

Mandati i Zejnullah Gashit si kryeprokuror është 7 vjeçar. /tëvë1