Rexha: Qeveria “Kurti” ka pasur dhe ka raport toksik me mediat, i sheh si armike dhe i portretizon si fajtore

Gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka kritikuar raportin e Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje me mediat, duke e cilësuar atë si “shumë toksik”.

Rexha tha se kjo qasje ndaj mediave është për keqardhje, sidomos për një parti politike e cila, sipas tij, është rritur në pushtet duke bashkëpunuar me mediat.

“Qeveria e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, që prej fillimit të mandatit dhe me kalimin e viteve, ka pasur dhe ka një relacion shumë toksik në raport me mediat, që është për keqardhje”, tha Rexha.

Ai deklaroi se pushteti i sheh mediat si kundërshtarë dhe, sipas tij, i portretizon qëllimshëm si të tilla para elektoratit të vet.

“I sheh si armiq, i portretizon qëllimshëm në formë të tillë, në mënyrë që elektoratit të vet, votuesve të vet, t’u thotë që mediat i kanë fajet kur gjërat nuk shkojnë mirë në Kosovë”, u shpreh Rexha.

Sipas tij, kjo qasje është problematike për një parti që, gjatë kohës sa ishte në opozitë, kishte përfituar nga hapësira mediale dhe nga raportimi i mediave.

“Kjo është për keqardhje për një parti politike e cila është rritur në opozitë duke bashkëpunuar me mediat”, tha ai.

Rexha foli edhe për atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në raportin e Vetëvendosjes me mediat, duke thënë se përfaqësuesit e saj i bojkotojnë apo i sulmojnë ato, por kthehen në të njëjtat media gjatë fushatave zgjedhore.

“Nëse po u thonë që nuk janë të mira, prapë në të njëjtat media dalin e flasin kur kanë nevojë gjatë zgjedhjeve. Është standard i dyfishtë”, deklaroi Rexha.

Ai shtoi se mediat kanë bërë punën e tyre si kur Vetëvendosje ishte në opozitë, ashtu edhe tani kur është në pushtet.

“Mediat e kanë bërë punën e tyre kur Vetëvendosje ka qenë në opozitë dhe e bëjnë punën e tyre kur Vetëvendosje është në pushtet”, tha Rexha.

Sipas Rexhës, përpjekjet për kontrollimin e informacionit dhe narrativës nuk janë të reja në Kosovë, por ai vlerëson se presioni ndaj mediave nuk ka qenë asnjëherë më i madh.

“Edhe qeveritë e tjera kanë provuar ta kontrollojnë informacionin, narrativën, po e bën edhe Vetëvendosje, por absolutisht asnjëherë nuk ka qenë më keq”, tha Rexha.

“Asnjëherë presioni nuk ka qenë më i madh. Asnjëherë denigrimi publik nuk ka qenë më i madh”, përfundoi ai. /telegrafi