Pse Parkinsoni prek më shpesh burrat?

Një studim i ri ka zbuluar ndryshime gjenetike në qelizat e trurit që mund të shpjegojnë pse sëmundja e Parkinsonit prek burrat dukshëm më shpesh sesa gratë. Gjetjet sugjerojnë se ndryshimet epigjenetike – mekanizma që aktivizojnë ose çaktivizojnë gjenet pa ndryshuar ADN-në – mund të luajnë një rol kyç në zhvillimin e sëmundjes.

Studimi u prezantua në Forumin 2026 të Federatës Evropiane të Shoqatave të Neuroshkencës (FENS) në Barcelonë. Parkinsoni është sëmundja e dytë neurodegjenerative më e zakonshme në botë dhe prek rreth 1% të personave mbi moshën 60 vjeç. Me plakjen e popullsisë, numri i rasteve pritet të arrijë në rreth 9 milionë deri në vitin 2030.

Dihet se burrat kanë rreth 1.5 herë më shumë gjasa të zhvillojnë Parkinson sesa gratë, ndërsa gratë zakonisht sëmuren më vonë dhe jetojnë më gjatë me këtë diagnozë.

Deri më tani, këto dallime janë lidhur me faktorë si dëmtimet e kokës ose ekspozimi ndaj pesticideve dhe metaleve, por shkaku biologjik ka mbetur i paqartë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Në këtë studim, shkencëtarët analizuan mostra të trurit nga 73 persona të ndjerë me Parkinson dhe 24 persona pa këtë sëmundje. Ata ekzaminuan pesë rajone të trurit dhe krahasuan aktivitetin e gjeneve në neurone dhe në qelizat mbështetëse të trurit, të njohura si qeliza gliale.

Rezultatet treguan se të gjitha qelizat shfaqnin shenja stresi, duke aktivizuar proteina që ndihmojnë në riparimin e proteinave të dëmtuara. Megjithatë, u zbuluan edhe dallime të rëndësishme mes burrave dhe grave. Tek gratë u vunë re më shumë ndryshime në metilimin e ADN-së, një proces që mund të “fikë” funksionimin e disa gjeneve.

Sipas autores kryesore të studimit, profesoreshës Julia Schulze-Hentrich, këto rezultate tregojnë se Parkinsoni shkakton reagime të përbashkëta stresi në trurin e të gjithë pacientëve, por edhe ndryshime specifike biologjike mes burrave dhe grave. Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin e dallimeve në simptomat dhe përparimin e sëmundjes.

Ekspertët besojnë se këto njohuri mund të hapin rrugën drejt trajtimeve më të personalizuara, në vend që të gjithë pacientët me Parkinson të trajtohen njësoj. /Gazeta Shneta