Tragjedi në Toronto, të shtënat me armë lënë dy të vdekur në një festival
Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë gjatë një festivali rrugor në Toronto të Kanadasë.
Policia njoftoi se fillimisht mori raportime për një person të armatosur në zonën e rrugës St. Clair Avenue, ku po zhvillohej një festival i salsës. Në vendngjarje u gjetën gjashtë persona me plagë nga armët e zjarrit, ndërsa dy prej tyre u shpallën të vdekur.
Në një konferencë për media, autoritetet thanë se të shtënat ndodhën pas një shkëmbimi zjarri mes dy personave. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë zjarri.
Deri më tani nuk është arrestuar asnjë i dyshuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar, shkruan BBC.
Zëvendësshefi i Policisë së Torontos, Francisco Barredo, e përshkroi situatën si “shumë kaotike”, duke bërë të ditur se në festival ndodheshin rreth 13 mijë persona në momentin e incidentit.
Policia po heton në tri skena të ndara të krimit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën, si dhe kujtdo që ka informacione apo pamje nga ngjarja t’i kontaktojë autoritetet.