Spanja po vuan nga zjarret e egra
Evropa Jugore po përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve të viteve të fundit, ndërsa temperaturat ekstreme dhe erërat e forta kanë përhapur flakët në disa vende. Më e goditura është Spanja, ku një zjarr i madh në provincën Almeria ka shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha materiale.
Zjarrfikësit dhe njësitë emergjente spanjolle vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin masiv në zonën e Los Gallardos dhe Bedar, në provincën jugore të Almerias, i cili konsiderohet ndër më vdekjeprurësit në historinë moderne të vendit.
Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa 23 të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Mes viktimave ka shtetas britanikë, belgë dhe të paktën një shtetas spanjoll. Disa prej tyre humbën jetën gjatë përpjekjeve për t'u larguar nga flakët, disa me automjete dhe të tjerë në këmbë.
Ekipet e mjekësisë ligjore po punojnë për identifikimin e viktimave, ndërsa Garda Civile ka ngritur pika të posaçme për pranimin e denoncimeve dhe mostrave biologjike nga familjarët e personave të zhdukur.
Tetë persona kanë mbetur të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë, dhe janë dërguar për trajtim në njësinë e djegieve të spitalit "Virgen del Rocío" në Sevilje.
Mbi 1 mijë banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, ndërsa më shumë se 460 zjarrfikës, ushtarë dhe pjesëtarë të njësive të emergjencës po luftojnë me flakët. Kushtet e vështira atmosferike, temperaturat mbi 35 gradë Celsius, thatësia dhe erërat e forta kanë penguar operacionet.
Zjarri ka përfshirë tashmë mes 3.200 dhe 6.600 hektarë tokë, duke shkatërruar pyje, toka bujqësore dhe banesa. Autoritetet dyshojnë se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një linjë e rrëzuar e energjisë elektrike, megjithëse kompanitë energjetike e kanë mohuar këtë mundësi.
Ndërkohë, valët e të nxehtit dhe zjarret po prekin edhe vende të tjera të Evropës Jugore, përfshirë Francën dhe Portugalinë. Sipas shërbimit evropian të klimës Copernicus, Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke rritur rrezikun e zjarreve dhe motit ekstrem gjatë muajve të verës./rtk