Për 6 muaj mbi 1 mijë ndërhyrje nga zjarrfikësit, 100 prej tyre nga thatësia

Për vetëm 6 muajt e parë të 2026-tës, intervenimi i tyre ishte i domosdoshëm në mbi 1 mijë raste.

Nga to, në mbi 100 prej tyre, zjarrfikësit e Prishtinës ndërhynë në ato që ishin fushore-malore, e që u shkaktuan nga bari i tharë.

Gjatë verës, kur temperaturat janë më të larta, rritet edhe më shumë rreziku që bimësia e tharë të shndërrohet në material lehtësisht të ndezshëm.

Sipas komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, shkaktarë është zakonisht ndezja e mbeturinave, të cilat janë në sasi të mëdha në ato zona.

“Ajo mund të jetë e qëllimshme që e ndez dikush zjarrin me pretendimin që ka me pastru atë hapësirë që është e pamirëmbajtur, ose mund të jetë edhe hudhja  e mbeturinave, sendeve nëpër fusha, ne e dijmë nga përvoja se çdo intervenim, sheh mbeturina, çka i bëjmë ne ambientit ndonëse edhe janë pak”, ka thënë Malë Gashi, Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve, Prishtinë.

Ndonëse numri i intervenimeve në total ështëi lartë, sfidë mbetet përmbushja e numrit të nevojshëm të personelit.

Sipas rregullores, Prishtina duhej të kishte 152 zjarrfikës, por aktualisht numri në terren është më i ulët.

“Për 1500 banorë duhet të jetë 1 zjarrfikës, në total jemi 100, psh vetëm në Prishtinë në bazë të regjistrimit të popullsisë ne duhet të jemi 152, pra është numër kogja i madh që na mungon. Por megjithatë janë pranu vitin e kaluar, këtë vit shpresojmë që të kryhet rregullorja për rekrutim, dhe t’i procedojmë së paku edhe 10 vende që janë të lira”, ka thënë Malë Gashi, Komandant i Brigadës së Zjarrfikësve, Prishtinë.

Për të mbuluar këtë boshllëk, autoritetet komunale po planifikojnë rekrutime të reja në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

Përpos kësaj, sipas drejtorit Lulzim Fushtica, pritet të shtohen edhe pajisje të reja.

“Buxheti i këtij viti parasheh blerjen e pajisjeve, procesi i prokurimit veçse është në përfundim e sipër, të gjitha ato që ka kërku Brigada e Zjarrfikësve do të përmbushet me buxhetin e këtij viti, pra blerja e pajisjeve, zorrëve, pjesëve që janë të nevojshme për punën e tyre, duke përfshirë edhe një kamion”, ka thënë Lulzim Fushtica, Drejtor për Siguri dhe Emergjenca, Prishtinë.

Brigada Profesionale e Zjarrfikësve në Prishtinë, përpos kryeqytetit, përfshin edhe territorin e komunës së Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës.

Për plotësimin e numrave bosh të personelit dhe shtimit të kapaciteteve, televizioni ka dërguar pyetje në adresë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, mirëpo të martën deri në mesditë nuk ka pranuar përgjigje./dukagjini