Përzgjedhësi i Argjentinës emocionon me rrëfimin e tij: Kjo është trashëgimia që dua të lë

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka deklaruar se dëshiron që kombëtarja e tij të kujtohet si një skuadër që nuk dorëzohet kurrë, ndërsa u ndal edhe te Lionel Messi në prag të çerekfinales së Kupës së Botës 2026 ndaj Zvicrës.

Kampionët në fuqi kanë mbetur të pamposhtur në 11 ndeshje radhazi në Kupën e Botës dhe synojnë të bëhen kombëtarja e parë që nga Brazili në vitin 1962 që fiton dy tituj radhazi. Megjithatë, Scaloni pret një sfidë shumë të vështirë ndaj Zvicrës.

“Nuk do të doja që kjo kombëtare të kujtohej vetëm për fitoret. Do të doja të kujtohej si një skuadër që nuk dorëzohet kurrë”.

“Ne, stafi teknik dhe lojtarët, luajmë futboll për këtë. Nuk luajmë futboll vetëm për të fituar. Kur sheh gjëra që dalin nga zemra, është diçka e jashtëzakonshme”.

“Kur sheh një fëmijë 10-vjeçar të flasë me aq pasion dhe të gjithë të thërrasin ‘Argjentina’, është vërtet emocionuese. Kjo është trashëgimia që dua të lë”.

Scaloni foli edhe për Lionel Messin, i cili do të rikthehet në stadiumin ku shënoi tregolëshin ndaj Algjerisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.

39-vjeçari aktualisht kryeson listën e golashënuesve në historinë e Kupës së Botës me 21 gola dhe është në garë për Këpucën e Artë, së bashku me Kylian Mbappe, pasi të dy kanë nga tetë gola në këtë edicion.

“Disa mund të mendojnë se në moshën 39-vjeçare ai nuk mund të përballojë më sfida të tilla, por e kam thënë edhe më parë se për aq kohë sa ai dëshiron të luajë, do të jetë më i miri”.

“Nuk e them këtë sepse jam trajneri i tij, por sepse e besoj sinqerisht. Ne që e shohim çdo ditë në stërvitje dhe e shohim çfarë bën edhe sot, as nuk mund ta imagjinojmë se sa i jashtëzakonshëm ishte kur ishte 23 vjeç te Barcelona nën drejtimin e Pep Guardiolës”.

Përndryshe, fituesi i kësaj çerekfinale do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e sfidës Norvegji – Angli. /telegrafi