Platforma X në iOS me editor të integruar për video

Aplikacioni i rrjetit social X për pajisjet me sistemin operativ iOS ka marrë një funksion të ri – një editor të integruar për video, i cili synon t’u mundësojë krijuesve të përmbajtjes të prodhojnë dhe publikojnë më lehtë materiale origjinale direkt në platformë.

Përditësimi i ri përfshin një mjet për regjistrim dhe përpunim të videove, me mundësi për shtimin e titrave në disa gjuhë dhe personalizimin e pamjes së tyre.

Gjithashtu është shtuar edhe funksioni "green screen", i cili u lejon përdoruesve të ndryshojnë sfondin e videos duke përdorur fotografi nga telefoni ose postime të tjera në platformën X.

Sipas drejtuesve të X, qëllimi kryesor i këtij funksioni është të nxisë përdoruesit të krijojnë më shumë përmbajtje origjinale, në vend që të publikojnë video të ricikluara nga platforma të tjera.

Kjo lëvizje shihet si pjesë e përpjekjeve të X për të konkurruar më fuqishëm me platformat e fokusuara te videot, si TikTok dhe Instagram, duke ofruar më shumë mjete për krijuesit e përmbajtjes brenda vetë aplikacionit.

Kompania pritet të sjellë edhe përditësime të tjera për editorin e videos në javët e ardhshme, me synim zgjerimin e mundësive krijuese për përdoruesit e platformës. /Telegrafi