Arrestohet në Ferizaj një i mitur për kërcënim dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka njoftuar se më datë 08.07 2026, rreth orës 23:40m ka pranuar një informacion për një rast të kanosjes me armë zjarri.

Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ku janë identifikuar personat e përfshirë.

“Në stacionin policor janë shoqëruar dy viktimat dhe një person i dyshuar.

Tek i dyshuari, F.A. (16 vjeç), gjatë kontrollit është gjetur në posedim një pistoletë me gaz, me gjashtë (6) fishekë”, thuhet në komunikatë.

PK-ja më tej njofton se lidhur me rastin janë intervistuar dy viktimat, ndërsa personi i dyshuar, për shkak se ndodhej nën ndikimin e alkoolit, nuk ka qenë në gjendje të intervistohej.

“Me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 24 orë dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet mes të tjerash. /Zëri