Prodhuesit vendorë kërkojnë transparencë dhe mbështetje institucionale: Mos dëmtoni reputacionin e sektorit pa fakte

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, në bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit dhe produkteve me bazë shtazore, ka kërkuar veprim të menjëhershëm institucional dhe transparencë për mbrojtjen e zinxhirit vendor të prodhimit.

Në një reagim publik, Shoqata thekson se sektori i qumështit dhe përpunimit të produkteve vendore është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuuar në zhvillimin rural, punësimin dhe sigurinë ushqimore.

Sipas tyre, deklaratat apo veprimet që cenojnë besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në analiza dhe fakte zyrtare, dëmtojnë drejtpërdrejt sektorin dhe mijëra familje që varen nga ai.

Shoqata dhe Oda Ekonomike kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore ndaj institucioneve:

  1. Publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave zyrtare nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të eliminuar çdo paqartësi në treg.
  2. Mbështetje konkrete nga Qeveria e Kosovës për prodhuesit vendorë përmes politikave fiskale, lehtësimeve administrative, diplomacisë ekonomike dhe mekanizmave të tjerë mbështetës.
  3. Ndaljen e deklarimeve dhe veprimeve që, sipas tyre, dëmtojnë sektorin pa u bazuar në prova dhe procedura profesionale.
  4. Përshpejtimin e proceseve që do t'u mundësonin prodhuesve vendorë eksportin e produkteve me bazë shtazore në tregun evropian, përfshirë njohjen e certifikatave të lëshuara nga institucionet vendore.
  5. Respektimin e standardeve profesionale dhe ligjore në raportim dhe mbikëqyrje, me qëllim garantimin e një tregu të sigurt, konkurrues dhe të drejtë.

Në reagim thuhet se prodhuesit vendorë kanë investuar në teknologji, kanë hapur vende të reja pune dhe kanë punuar vazhdimisht për përmbushjen e standardeve të kërkuara, prandaj meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë, e jo dëmtim të reputacionit pa dëshmi të bazuara.

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehen të gatshme të vazhdojnë dialogun me institucionet përgjegjëse në interes të konsumatorëve, prodhuesve vendorë dhe zhvillimit ekonomik të vendit. /Zëri