NATO-ja për narrativat ruse në Ballkan: Propagandës i kundërvihemi me të vërtetën

Një zyrtar i lartë i NATO-s ka deklaruar se propaganda dhe narrativat ruse mbeten sfidë e rëndësishme për sigurinë në hapësirën euroatlantike, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Komentet erdhën pasi zyrtari u pyet për kërcënimet hibride dhe propagandën, me theks te ndikimi i mediave që përhapin narrativa ruse në rajon, veçanërisht në Serbi, gjatë një diskutimi me gazetarë nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Bjellorusia dhe vende të tjera të Evropës Lindore.

Në përgjigje, zyrtari i Aleancës tha se propaganda është një problem real dhe se kjo çështje duhej të ishte përmendur.

“Keni absolutisht të drejtë. Ka shumë propagandë, patjetër”, deklaroi ky zyrtar i lartë i NATO-s, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, NATO-ja i përgjigjet propagandës duke u mbështetur në të vërtetën dhe duke komunikuar vazhdimisht me publikun për situatën reale të sigurisë në hapësirën euroatlantike.

“Në përgjithësi, ajo që bëjmë është se merremi me të vërtetën dhe publikojmë shumë të vërteta”, tha zyrtari i NATO-s.

Ai theksoi se Aleanca është e vendosur të tregojë një pasqyrë të vërtetë dhe të ndershme për zhvillimet e sigurisë, duke folur për atë që Rusia dhe aktorë të tjerë po bëjnë në të vërtetë, por edhe për veprimet e vetë NATO-s.

Zyrtari tha se një nga mesazhet kryesore të Aleancës është se NATO-ja është organizatë mbrojtëse.

“Jemi mjaft të vendosur në përpjekjet tona për t’u siguruar që po tregojmë një histori të vërtetë dhe të ndershme për atë se si është situata e sigurisë në gjithë hapësirën euroatlantike. Ne e bëjmë këtë duke theksuar se NATO-ja është një aleancë mbrojtëse. Dhe vërtet është e tillë”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se NATO-ja mban të sigurt çdo ditë rreth një miliard njerëz dhe se 32 vendet anëtare kanë zgjedhur vetë të jenë pjesë e Aleancës.

“E bëjmë duke theksuar se NATO-ja mban të sigurt çdo ditë një miliard njerëz. E bëjmë duke theksuar se jemi 32 vende që kanë zgjedhur të jenë pjesë e një aleance, pa asnjë presion. Askush nuk është detyruar me forcë të jetë pjesë e saj”, tha zyrtari i NATO-s.

Sipas tij, vendet anëtare kanë zgjedhur të punojnë së bashku edhe për çështje të vështira, duke përfshirë inovacionin në mbrojtje dhe zhvillimin e kapaciteteve që mund të përdoren në gjithë Aleancën.

“Ne zgjedhim të punojmë së bashku, shpesh edhe për gjëra të vështira, si inovacioni në mbrojtje dhe sigurimi i kapaciteteve që mund të aplikohen në gjithë Aleancën, për t’u siguruar që jemi të sigurt dhe të mbrojtur”, përfundoi zyrtari i NATO-s.