Pishina e Gërmisë mbyllet përkohësisht nga inspektorati, priten analizat e IKSHPK-së

Pishina e Gërmisë do të jetë e mbyllur përkohësisht, pas një kërkese të Inspektoratit Sanitar, deri në marrjen e mostrave dhe përfundimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Përmes një njoftimi, NPL “Sport Marketing” bëri të ditur se ndërmarrja kryen rregullisht kontrollin e cilësisë së ujit dhe matjen e parametrave përkatës, në përputhje me standardet dhe procedurat e mirëmbajtjes, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit, gjendja e përgjithshme e pishinës së Gërmisë vlerësohet e mirë, si për cilësinë e ujit, ashtu edhe për ambientet brenda saj.

Megjithatë, duke respektuar procedurat e IKSHPK-së për pishinat publike dhe në funksion të transparencës ndaj qytetarëve, ndërmarrja ka bërë të ditur se do të presë rezultatet zyrtare para se të rifillojë aktivitetin.

“Si ndërmarrje, respektojmë dhe zbatojmë vendimet e organeve përgjegjëse, duke pasur si prioritet kryesor sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

NPL “Sport Marketing” ka bërë të ditur se qytetarët do të njoftohen me kohë sapo të përfundojnë procedurat dhe të publikohen rezultatet zyrtare për rihapjen e Pishinës së Gërmisë. /Zëri