Haxhiu takon raportuesin e PE-së për Kosovën: Vendit duhet t’i hapet rruga për negociatat e anëtarësimit në BE
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur të martën në takim raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të vendit dhe zhvillimet aktuale.
Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu e falënderoi Terrasin për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj rrugës evropiane të Kosovës, duke theksuar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimi Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme.
Ajo tha se përparimi i Kosovës duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe se vendit duhet t’i hapet rruga për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim.
Sipas Haxhiut, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë që reflekton progresin e arritur në reformat evropiane.
Në takim, ushtruesja e detyrës së presidentes prezantoi gjithashtu përparimin e Kosovës në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin me institucionet e BE-së, duke theksuar se orientimi euroatlantik i vendit mbetet i qartë dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare.
Po ashtu, Haxhiu dhe Terrasi diskutuan për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Ajo theksoi se procesi i integrimit evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët. /Zëri