Serwer porosi para aktgjykimit të Hagës: Kosova meriton vlerësim si i trajtoi akuzat, vendimi i padrejtë do të rëndojë mbi Gjykatën

Paneli i gjykatësve të Hagës tashmë ka caktuar mëngjesin e 16 shtatorit të këtij viti për t’ua kumtuar vendimin e shkallës së parë katër ish- krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Mbi të katërt rëndojnë akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime lufte, pretendime të cilat mbrojtja i ka kundërshtuar edhe me dëshmitarë të rangut të Wesley Clark e James Rubin.

Besnik Velija 

Vendimi që do të marrë Haga në prag të vjeshtës, do të përcaktojë dimrin që do t’i vijë Kosovës, meqë të katër figurat që ndodhen në Hagë, përveç në UÇK, kanë hise edhe në shtetësinë e Kosovës. Hashim Thaçi ka qenë figurë kyçe qysh në Rambuje në negociatat që rezultuan me bombardimet e NATO-s, ka shpallur pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë pjesë aktive e politikës si president deri në vitin 2020 kur iu ngrit aktakuza. Kadri Veseli e Jakup Krasniqi kanë qenë kryetar të Kuvendit e Rexhep Selimi deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket reagimit që mund të nxit vendimi i Hagës në Kosovë, profesori amerikan Daniel Serwer në një intervistë për Gazetën Express porosit që të mos bëhen veprime që dëmtojnë shtetin e Kosovës, duke bërë thirrje për reagim paqësor dhe që nuk përfshinë sulme ndaj komunitetit serb.

“Shpresoj që reagimi ndaj aktgjykimit në Kosovë të mos e dëmtojë në asnjë mënyrë shtetin. Kjo do të thotë se reagimi duhet të jetë paqësor dhe të mos përfshijë sulme ndaj komunitetit serb. Shteti i Kosovës meriton vlerësim, jo kritika, për mënyrën se si i ka trajtuar deri tani këto akuza. Serbia i fshehu për vite të tëra personat e saj të akuzuar. Të akuzuarit nga Kosova dhanë dorëheqje dhe shkuan në Hagë. Për këtë ata meritojnë vlerësim, jo dënim apo përbuzje.”, ka deklaruar Serwer për Gazetën Express.

Daniel Serwer shton se pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, bindja e tij se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja e vetme nuk do të ndryshojë.

“Mendoj se çdo dënim do të reflektojë para së gjithash mbi ata që dënohen, pavarësisht nëse dënimi është i drejtë apo jo. Nëse nuk është i drejtë, atëherë do të rëndojë mbi vetë gjykatën. Vendimet nuk do ta ndryshojnë bindjen time se pavarësia e Kosovës ishte e vetmja zgjidhje.”, ka thënë Serwer për Express.

Serwer potencon se Serbia e ka humbur Kosovën për shkak të veprimeve të veta që kanë qenë shkelje të të drejtave të njeriut.

Profesori i Johns Hopkins University në fund rikujton faktin se Serbia për vite ka fshehur personat e akuzuar, derisa shton se të akuzuarit e Kosovës dhanë dorëheqje e shkuan në Hagë. Sipas tij, Thaçi dhe të tjerët meritojnë vlerësim për një gjë të tillë e jo përbuzje.