Zulfaj i përgjigjet Përparim Ramës: Nuk e njeh procesin e integrimeve, Qeveria nuk ka bllokuar asnjë proces
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, i është përgjigjur kritikave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka akuzuar Qeverinë për izolim ndërkombëtar, humbje të fondeve të BE-së dhe dëmtim të ekonomisë.
Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Zulfaj tha se Rama nuk e njeh procesin e integrimit evropian, procesin e ligjbërjes dhe as reformat që janë pjesë e Planit të Rritjes.
“Unë mendoj që kryetari i Prishtinës nuk e di çka po flet, sepse nuk e njeh as procesin e integrimeve, as procesin e ligjbërjes, e as reformat të cilat janë në Planin e Reformave”, deklaroi Zulfaj shkruan Telegrafi.
Ai shtoi se Rama do të duhej të merrej më shumë me problemet e kryeqytetit sesa me temat që, sipas tij, nuk i njeh mjaftueshëm.
“Mendoj që duhet të merret me bllokadën e Prishtinës, që është e bllokuar gjithandej”, tha Zulfaj.
Duke iu përgjigjur akuzave se Qeveria ka bllokuar proceset, Zulfaj tha se Qeveria nuk ka bllokuar asnjë prej tyre. Sipas tij, marrëveshja për instrumentin e Planit të Rritjes i ishte dërguar Kuvendit në nëntor të vitit 2024, por më pas procesi u bllokua në Kuvend.
Rama me akuza ndaj Qeverisë Kurti: Po e çoni Kosovën drejt izolimit, humbjes së fondeve dhe mbylljes së fabrikave
“Qeveria nuk po e bllokon atë. Dhe në anën tjetër, Qeveria nuk i ka bllokuar asnjë prej proceseve. Qeveria ia ka dërguar marrëveshjen për instrumentin Kuvendit në nëntorin e vitit 2024”, u shpreh ai.
Zulfaj tha se bllokada në Kuvend ka ndikuar që Kosova të mos i përmbushë me kohë disa reforma të lidhura me Planin e Rritjes, duke rrezikuar humbjen e mbi 40 milionë eurove.
Ai e drejtoi përgjegjësinë te opozita, duke thënë se bllokimi i Kuvendit ka penguar miratimin e marrëveshjeve dhe ligjeve të nevojshme.
“Opozita e bllokoi gjatë gjithë vitit kalimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes, në mënyrë që ai të hynte në fuqi dhe reformat të fillonin sa më shpejt”, tha Zulfaj.
Sipas tij, nëse Kuvendi do të kishte funksionuar, ligjet që kanë qenë pjesë e reformave do të mund të miratoheshin me kohë.
“Sikur Kuvendi të funksiononte, shumë ligje, për mos thënë të gjitha ato që ishin pjesë e këtyre hapave, do të mund të kaloheshin”, deklaroi ai.
Zulfaj tha se mjetet e humbura nuk janë dëm për një parti apo qeveri të caktuar, por për vetë Republikën e Kosovës.
“Mjetet që humbin nuk janë për mua, as për Qeverinë, janë për Republikën”, theksoi Zulfaj.
Ai shtoi se reformat do të përmbushen sapo të formohen institucionet e reja, por problemi është se ato nuk janë kryer brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Zulfaj për humbjen e mbi 40 milionë eurove nga BE-ja: Shkak është bllokada në Kuvend
“Të gjitha këto pesë ligje dhe Strategjia kundër Krimit të Organizuar, në momentin që bëhet Qeveria dhe Kuvendi i ri, do të bëhen. Problemi është që nuk i kemi kryer në afatin e duhur, sipas agjendës, për të kërkuar lirimin e fondeve”, përfundoi Zulfaj. /telegrafi