Banorët e rrugës “Haxhi Zeka” në kryeqytet pa energji elektrike që nga mëngjesi, ankohen për mungesë informimi

Banorët e rrugës "Haxhi Zeka" në Prishtinë, po përballen me mungesë të energjisë elektrike që nga orët e mëngjesit, ndërsa thonë se ende nuk kanë marrë asnjë sqarim lidhur me shkakun e ndërprerjes.

Sipas banorëve të kësaj lagjeje, shumë prej tyre kanë telefonuar në KEDS-in, por, siç pretendojnë, askush nuk u ka dhënë informacione se ku qëndron problemi dhe kur pritet të rikthehet furnizimi me energji elektrike, shkruan Zeri.info.

Ata shprehen të shqetësuar edhe për faktin se, sipas tyre, as në faqen zyrtare të KEDS-it nuk është publikuar ndonjë njoftim apo sqarim për konsumatorët lidhur me këtë ndërprerje.

Banorët në rrugën " Haxhi Zeka" në Prishtinë, kërkojnë që institucionet përgjegjëse të japin informacione zyrtare dhe të sqarojnë arsyet e mungesës së energjisë elektrike, si dhe kohën e pritshme të rikthimit të furnizimit me energji elektrike. / Zëri