Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon sqarime për inspektimin në qumështoren “Vita”
Shoqata e Industrisë së Qumështit e Kosovës ka reaguar pas inspektimit të zhvilluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në qumështoren “Vita”, duke kërkuar sqarime nga institucionet përgjegjëse lidhur me mënyrën sesi është realizuar kontrolli.
Në reagimin e saj, shoqata thekson se mbështet plotësisht zbatimin e ligjit dhe kontrollet zyrtare që garantojnë sigurinë ushqimore, por vlerëson se çdo inspektim duhet të zhvillohet me profesionalizëm, transparencë dhe në përputhje të plotë me procedurat ligjore.
Shoqata i ka bërë thirrje ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, si dhe kryeshefit ekzekutiv të AUV-it, Bekim Hoxha, që të sqarojnë publikisht se kush mori pjesë në inspektim, cilët ishin inspektorët e autorizuar, nëse janë respektuar procedurat për marrjen dhe analizimin e mostrave, si dhe pse gjatë kontrollit ishte angazhuar një numër i madh i stafit.
Sipas Shoqatës së Industrisë së Qumështit, besueshmëria e sistemit të kontrollit ushqimor ndërtohet mbi paanshmërinë dhe respektimin rigoroz të ligjit.
Shoqata thekson se industria do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet në çdo kontroll të ligjshëm dhe profesional, por njëkohësisht do të mbrojë të drejtat e operatorëve ekonomikë në rastet kur ka dyshime për mosrespektim të procedurave.
Në fund të reagimit, ajo u ka bërë thirrje institucioneve të publikojnë dokumentacionin përkatës dhe të garantojnë transparencë të plotë për këtë rast, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve në sistemin e kontrollit ushqimor. /Zëri