I bllokuar në Oqeanin Paqësor për tetë ditë, ja si mbijetoi peshkatari 42-vjeçar derisa u shpëtua

Një luftë e vërtetë për mbijetesë zhvilloi peshkatari 42-vjeçar Junior Apiuta, i cili mbeti i bllokuar në Oqeanin Paqësor për tetë ditë, pasi motori i varkës së tij të vogël të peshkimit u prish gjatë një udhëtimi për peshkim.

Sipas The Guardian, peshkatari u shpëtua më 18 qershor, kur u vu re nga një avion i Forcave Ajrore të Zelandës së Re. Pak më vonë, ai u mor në bord nga një anije peshkimi, duke i dhënë fund aventurës së tij.

Aventura e tij nisi më 11 qershor. Pasi mbaroi një ndeshje volejbolli, ai shkoi në shtëpi, mori pajisjet dhe u nis për peshkim. Duke ndjekur zogjtë që fluturonin mbi det, një tregues se në zonë kishte peshq. ai u largua nga bregu. Pak kohë më vonë, motori i varkës së tij filloi të mos funksiononte siç duhej, duke punuar me ndërprerje derisa u ndal plotësisht me rënien e natës. Pa mjetet e nevojshme për ta riparuar dhe me erën që po forcohej, ai madje mendoi të hidhej në det për të notuar drejt ishullit, por shpejt e kuptoi se nuk do t’ia dilte. Kështu, zgjodhi të qëndronte në varkë, duke parë dritat e bregut që zhdukeshin gradualisht.

Ditët në vijim rezultuan veçanërisht të vështira. Apiuta u përball me erëra të forta, valë të mëdha, reshje të vazhdueshme shiu dhe temperatura të ulëta.

Siç e përshkruan ai, valët e hodhën dy herë në det, por arriti të rikthehej në varkë. “Valët ishin të mëdha”, tha ai.

Për të mos u rrëmbyer nga deti, ai u ul sa më poshtë që mundi, ndërsa njëkohësisht hiqte vazhdimisht ujin që po mbushte varkën. Furnizimet e vetme që kishte me vete ishin dy shishe me ujë, një kovë, pajisjet e peshkimit, një frigorifer portativ dhe një çarçaf.

Për të mbijetuar, ai hante sasi të vogla peshku të gjallë që e kapte me pajisjet e tij dhe mblidhte ujë shiu në kovë për të pirë. Natën, përdorte çarçafin dhe frigoriferin portativ për t’u mbrojtur sa më shumë që mundej nga i ftohti.

Ai tregon se gjatë gjithë kësaj kohe nuk pushoi së luturi. Pavarësisht pasigurisë se ku po e çonin rrymat e detit, ai thotë se nuk e humbi kurrë shpresën se do të shpëtohej.

Ditën e tretë, ai pa dritat e një anijeje peshkimi dhe u përpoq të lundronte drejt saj, por erërat e forta e shtynë larg dhe anija u zhduk nga fusha e tij e shikimit.