Rusia e godet Kievin me raketa dhe dronë, të paktën 17 të vrarë

Rusia e ka goditur kryeqytetin ukrainas në një nga sulmet e saj më të mëdha me dronë dhe raketa këtë vit, duke i vrarë të paktën 17 njerëz. Ky sulm vuri në pah përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të gjunjëzuar Kievin me bombardime të vazhdueshme.

Sulmi i së enjtes ndodhi në mes sulmeve javore me dronë ukrainas mbi rafineritë e naftës ruse, një fushatë që ka shkaktuar mungesa karburanti në mbarë Rusinë dhe ka nxitur pakënaqësi mes rusëve të shkëputur nga lufta në Ukrainë, e cila tashmë është në vitin e saj të pestë.

Ushtria ruse tha se sulmi ishte përgjigje ndaj “sulmeve terroriste” kundër “infrastrukturës civile” ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska synon ta rrisë trysninë ndaj Kievit për t’i arritur synimet e luftës.

“Rusia i lëshoi më shumë se 70 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës gjatë natës, pothuajse gjysma e tyre raketa balistike, së bashku me gati 500 dronë sulmues”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në X.

Zjarrfikësit shuan zjarre në disa lokacione, ndërsa ekipet e shpëtimit po gërmojnë nën rrënoja në kërkim të të mbijetuarve.

Autoritetet e Kievit thanë se të paktën 17 njerëz janë konfirmuar të vdekur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet. Dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulme.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në disa lagje të qytetit u raportuan zjarre dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit.

"Në zonat e prekura janë angazhuar 570 shpëtimtarë dhe mbi 125 mjete të specializuara të shpëtimit", thuhet në një njoftim të shërbimit në Telegram.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendngjarja, duke treguar pasojat e sulmit të kryer gjatë natës ndaj një ndërtese banimi në lagjen Shuliavka të Kievit.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i ka dënuar ashpër sulmet ruse, duke i cilësuar ato si "krime të rënda lufte" dhe u ka bërë thirrje partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare për "përgjigje të fuqishme".

"Krimineli i luftës, Putin, është në gjendje të zhvillojë vetëm luftë të ulët dhe terroriste kundër civilëve, grave dhe fëmijëve", shkroi Sybiha në një postim në X.

Në mbrëmje para sulmit, Zelensky paralajmëroi për "një tjetër sulm masiv rus", duke iu referuar informacioneve të inteligjencës.

Ai tha se po kthehej "menjëherë" në Ukrainë nga Irlanda, ku ndodhej për një vizitë zyrtare.

Autoritetet e Kievit thanë se të paktën 17 njerëz janë konfirmuar të vdekur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet. Dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulme.

Nga ana e saj, Ukraina vazhdoi fushatën e saj në zgjerim me dronë gjatë natës, duke lëshuar më shumë se 330 dronë drejt shënjestrave në rajonet e Moskës dhe Leningradit.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, e shpalli ditë zie të premten. /REL