106 gjoba dhe 74 motoçikleta të konfiskuara në Ferizaj gjatë aksionit të policisë
Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë muajit qershor, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve, duke shqiptuar 106 gjoba dhe konfiskuar 74 motoçikleta për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”.
Nga kontrollet e realizuara rezulton se:
52 gjoba janë shqiptuar për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi;
46 gjoba për drejtim të motoçikletës pa regjistrim;
3 gjoba për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse;
5 gjoba për shkelje të tjera të rregullave të trafikut.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 74 motoçikleta dhe skuterë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se ngasja e papërshtatshme e motoçikletave dhe mosrespektimi i masave të sigurisë rrezikon jetën e drejtuesve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
“Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën”, thuhet në apelin e Policisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me synim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia fton qytetarët që të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406, duke garantuar ruajtjen e plotë të konfidencialitetit të raportuesve. /Zëri