Rihapet për qarkullim magjistralja Ferizaj–Gjilan, normalizohet trafiku në Dardani

Magjistralja Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani, është rihapur për qarkullimin e automjeteve pasi më herët gjatë ditës ishte bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se, pas pakësimit të reshjeve dhe ndërhyrjes së shërbimeve emergjente, uji është larguar nga rruga, duke bërë të mundur rikthimin e qarkullimit.

“Pas pakësimit të reshjeve të shiut dhe ndërhyrjes së Shërbimeve Emergjente, është bërë e mundur largimi i ujit nga rruga. Si rrjedhojë, magjistralja Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani, është liruar plotësisht për qarkullimin e automjeteve dhe trafiku tashmë po zhvillohet normalisht në të dy drejtimet”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë menaxhimit të situatës, ndërsa u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, për shkak të lagështisë në rrugë.