RCC-ja ndan çmimet për gratë sipërmarrëse në Ballkan, Flandra Marmullaku në mesin e fitueseve
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka shpallur fitueset e çmimit “Gratë Sipërmarrëse të Vitit 2026” për Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, në një ceremoni të mbajtur në Sarajevë.
Nga rreth 180 nominime të pranuara nga i gjithë rajoni, u përzgjodhën gjashtë gra sipërmarrëse që u vlerësuan për inovacionin, kreativitetin, qëndrueshmërinë dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të komuniteteve të tyre.
Fitueset e këtij viti janë: Jori Vila, Tamara Duriq, Flandra Marmullaku, Aleksandra Simoni, Marija Kukunoska dhe Zheljana Vuloviq.
Nga Kosova, Flandra Marmullaku, themeluese e Data4X, u shpall Sipërmarrësja në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Ajo u vlerësua për zhvillimin e zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale dhe analiza të të dhënave, që ndihmojnë bizneset në transformimin digjital dhe marrjen e vendimeve të bazuara në dëshmi.
Ceremonia u hap nga sekretari i përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq, i cili theksoi se gratë sipërmarrëse nuk kërkojnë trajtim të veçantë, por qasje të barabartë në financim, tregje, rrjete dhe njohje për vlerën që krijojnë.
“Sipërmarrja e grave nuk është një agjendë dytësore; ajo është një agjendë e konkurrueshmërisë”, tha Kapetanoviç, duke riafirmuar përkushtimin e RCC-së për mbështetjen e bizneseve të udhëhequra nga gratë në Ballkanin Perëndimor.
Nisma “Gratë Sipërmarrëse të Vitit”, e lansuar në vitin 2022 në kuadër të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, synon të rrisë dukshmërinë e grave në biznes, të promovojë histori suksesi, të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe të mbështesë pjesëmarrjen e tyre në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u organizua në prag të Forumit për Barazi Gjinore në kuadër të Procesit të Berlinit, duke vënë në pah rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave dhe zhvillimit gjithëpërfshirës në rajon.