Bogujevci viziton ekspozitën “Sy më Sy”
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, vizitoi ekspozitën “Sy më Sy”, ku u prit nga Feride Rushiti, drejtuese e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Gjatë vizitës, u diskutua për rëndësinë e dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ekspozita “Sy më Sy”, përmes dëshmive që sjell, kontribuon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe fuqizon përpjekjet për drejtësi, duke vendosur në qendër historitë e guximit dhe dinjitetit të të mbijetuarve.
Ministrja Bogujevci shprehu mirënjohje për punën shumëvjeçare të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe të Feride Rushitit në mbështetje të të mbijetuarve, si dhe për angazhimin e tyre në ruajtjen dhe dokumentimin e këtyre dëshmive.