Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarës për rastin e vrasjes në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.R., për vrasjen e ndodhur të dielën në mbrëmje në Ferizaj, ku si pasojë e plagëve mbeti i vdekur një 32-vjeçar.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28 Qershor 2026, rreth orës 22:40 në Ferizaj, rruga, ‘Sejdi Sejdiu’, e pandehura ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H., pas një mosmarrëveshje dhe përleshje fizike në mes tyre, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Vrasja’, nga neni 172 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.     

Ndërkaq, i dyshuari me iniciale M.B. (babai i të pandehurës), që ishte ndaluar deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në rast, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është liruar.

Po ashtu, në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima, tani i ndjeri (F.H.,) për të cilat ka marr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.