Irani dhe SHBA-ja fajësojnë njëri-tjetrit pas rifillimit të sulmeve pavarësisht armëpushimit

Një armëpushim i brishtë midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po duket gjithnjë e më i paqëndrueshëm, pasi të dyja palët e fajësuan njëra-tjetrën të dielën për shkeljen e një marrëveshjeje të përkohshme, synimi i të cilës është t'i jepet fund luftimeve disamujore.

Irani lëshoi raketa dhe dronë kundër bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn të dielën, menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni mund ta përshkallëzojë fushatën ushtarake, nëse Teherani nuk e nderon armëpushimin.

"Mund të vijë koha kur ne nuk do të jemi më në gjendje të vetëpërmbahemi", shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mund ta "përfundojnë ushtarakisht punën" që e kishin nisur në fillim të këtij viti.

Brenda pak orësh, autoritetet e Kuvajtit dhe Bahrejnit njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po përballeshin me predha që po afroheshin.

Forcat e Armatosura të Kuvajtit deklaruan se dy raketa balistike armiqësore u kapën në hapësirën ajrore të vendit, pa shkaktuar dëme apo viktima.

Ushtria e Bahrejnit bëri të ditur se kishte kapur dhe shkatërruar disa raketa dhe dronë, ndërsa sirenat e alarmit u dëgjuan në gjithë vendin.

Ministria e Brendshme e Bahrejnit njoftoi për dëmtime në një ndërtesë banimi, por tha se nuk kishte të lënduar.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se kryen sulmet si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të reja amerikane në tokën iraniane.

Në një deklaratë të transmetuar nga mediat shtetërore iraniane, IRGC tha se kishte vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, përfshirë objektet që lidhen me Flotën e Pestë të Shteteve të Bashkuara.

Në një koment për Reuters, një zyrtar amerikan konfirmoi se objektet amerikane ishin sulmuar, por tha se nuk kishte raportime për viktima amerikane apo dëme të mëdha. Ai shtoi se ende janë duke e shqyrtuar gjendjen.

Përshkallëzimi gjatë natës erdhi pas sulmeve amerikane ndaj objekteve ushtarake iraniane disa orë më parë. Uashingtoni tha se këto sulme ishin kryer si përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, rrugën jetike detare për transportin global të energjisë.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi se forcat e saj kishin goditur depo dronësh iranianë, instalime radarësh dhe infrastrukturë bregdetare të mbikëqyrjes, pasi një cisternë nafte ishte goditur nga një dron iranian më 27 qershor.

"Iranit iu dha mundësia ta nderonte marrëveshjen e armëpushimit, por zgjodhi të mos e bënte këtë", thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore.

Ajo shtoi se sulmet ishin "një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër transportit tregtar detar".

Irani mohoi përgjegjësinë për rrezikimin e lundrimit tregtar dhe akuzoi Uashingtonin për shkeljen e armëpushimit.

Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se sulmet ajrore amerikane kundër objekteve të mbikëqyrjes përgjatë bregdetit jugor të Iranit ishin "akte terroriste" dhe u zotua të mbrojë sovranitetin e vendit.

Ministria paralajmëroi se vazhdimi i sulmeve amerikane mund ta dëmtojë procesin diplomatik që është duke u zhvilluar.

Marrëveshja e përkohshme, e nënshkruar më herët gjatë këtij muaji, synonte të ndalte luftimet që shpërthyen pas sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, si dhe të rihapte Ngushticën e Hormuzit për trafikun tregtar, ndërsa negociatat më të gjera të vazhdonin.

Një rund bisedimesh të ndërmjetësuara u zhvillua javën e kaluar në Zvicër dhe më pas Uashingtoni pezulloi përkohësisht disa nga sanksionet ndaj Teheranit.

Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, dhuna ka vazhduar.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrin për minimin e armëpushimit, ndërsa sulmet ndaj anijeve tregtare dhe objekteve ushtarake kanë vazhduar.

Përtej Gjirit Persik, tensionet u rritën edhe përgjatë kufirit verior të Izraelit.

Ushtria izraelite njoftoi më 28 qershor se kishte vrarë disa luftëtarë të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit, pavarësisht ekzistencës së një kuadri të veçantë armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit.

Sipas ushtrisë izraelite, militantët ishin të armatosur me armë kundërtanke dhe po vepronin pranë një zone sigurie të shpallur nga vetë Izraeli.

Hezbollahu është njëkohësisht grup i armatosur militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur.

Hezbollahu e ka refuzuar marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit, duke e cilësuar atë si dorëzim të sovranitetit libanez dhe duke refuzuar të çarmatoset për sa kohë që trupat izraelite mbeten në tokën e Libanit. /REL