SHBA-ja dhe Teherani këmbejnë sulme përsëri, teksa Trumpi kërcënon se do ta “shkatërrojë” Iranin

Forcat amerikane i kanë goditur "shënjestra të shumta" në Iran për natën e dytë radhazi, si përgjigje ndaj asaj që Uashingtoni e cilëson si "agresion" të Teheranit kundër anijeve tregtare, ndërkohë që armëpushimi i brishtë në Lindjen e Mesme vazhdon të dobësohet.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do ta “shkatërrojë” Republikën Islamike.

"Avionët e Shteteve të Bashkuara sapo goditën vendet ku ruheshin raketat dhe dronët iranianë, si dhe stacionet bregdetare të radarëve, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Armëpushimit, PËRSËRI! Ka shumë mundësi që nuk do të marrin mësim kurrë!" shkroi ai në rrjetet sociale.

"Mund të vijë koha kur ne nuk do të jemi më në gjendje të tregojmë vetëpërmbajtje dhe do të detyrohemi ta përfundojmë ushtarakisht punën që e nisëm me shumë sukses. Nëse ndodh kjo, nuk do të ketë më Republikë Islamike e Iranit!" shkroi Trump.

Disa orë më vonë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se kishin lëshuar raketa dhe dronë ndaj vendeve të lidhura me SHBA-në rreth orës 02:00–03:00 të mëngjesit të 28 qershorit, si kundërpërgjigje.

Kuvajti dhe Bahrejni raportuan se kishin vërejtur predha në hyrje të hapësirës së tyre ajrore. Nuk pati hollësi rreth këtyre sulmeve.

IRGC-ja paralajmëroi gjithashtu se çdo "shkelje e armëpushimit" do t’i "ndërpresë plotësisht të gjitha proceset diplomatike që po zhvillohen".

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha më 27 qershor se forcat e saj kishin ndërmarrë sulmet "si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër transportit tregtar detar".

Irani nuk reagoi menjëherë ndaj deklaratës. SHBA-ja nuk tregoi në këtë njoftim se çfarë shënjestrash goditi, por zyrtarë të Mbrojtjes thanë se operacioni kishte përfunduar.

"Pas sulmeve të djeshme amerikane, të kryera si përgjigje ndaj sulmit iranian ndaj anijes ‘M/V Ever Lovely’, Iranit iu dha mundësia ta nderonte marrëveshjen e armëpushimit, por zgjodhi të mos e bënte këtë, kur forcat e tij lëshuan një dron vetëvrasës që goditi cisternën ‘M/T Kiku’ këtë mëngjes në orën 04:30, sipas kohës lindore të SHBA-së", thuhet në një postim të CENTCOM në rrjetet sociale.

Sipas CENTCOM, cisterna me flamur panamez po kalonte pranë Ngushticës së Hormuzit, rrugën jetike detare, duke transportuar më shumë se 2 milionë fuçi naftë të papërpunuar.

Tymi ngrihet nga shpërthimet në një vendndodhje të panjohur pas atyre që Komanda Qendrore e SHBA-së i quajti sulme ndaj Iranit më 26 qershor. CENTCOM tha se forcat e saj e goditën përsëri Iranin më 27 qershor. Foto: REUTERS

"Avionët ushtarakë amerikanë goditën infrastrukturën iraniane të mbikëqyrjes ushtarake, sistemet e komunikimit, pozicionet e mbrojtjes ajrore, depot e dronëve dhe kapacitetet për vendosjen e minave detare", thuhet në njoftim.

Mediat iraniane raportuan se shpërthime u dëgjuan në rajonin jugor bregdetar të Sirikut, një zonë që është goditur disa herë nga forcat amerikane gjatë javëve të fundit.

Më herët, më 27 qershor, Irani e akuzoi SHBA-në për shkelje të marrëveshjes së paqes që i dha fund konfliktit të fundit mes dy vendeve, pasi forcat amerikane kishin kryer sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane më 26 qershor.

Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se sulmet ndaj objekteve bregdetare të mbikëqyrjes përbënin "një shkelje flagrante" të memorandumit të mirëkuptimit të arritur së fundmi mes dy vendeve, si dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë misionit të 26 qershorit, gjashtë avionë amerikanë goditën katër objektiva brenda Iranit, përfshirë instalime radarësh dhe depo raketash e dronësh në zonën bregdetare të Sirikut.

Në deklaratën e saj, IRGC-ja pretendoi se forcat iraniane "shkatërruan tetë objekte të rëndësishme ushtarake amerikane në bazën Ali al-Salem në Kuvajt dhe në bazën detare të Flotës së Pestë në Port Salman të Bahrejnit".

Këto pretendime nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

"Çdo agresion i armikut, pavarësisht pretekstit, edhe nëse drejtohet ndaj objektivave të parëndësishëm... do të marrë përgjigje shkatërruese", shtoi IRGC-ja.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara pritet t’i rifillojnë negociatat teknike në Zvicër pas nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MOU), i cili synon t'i japë fund luftës në Iran dhe në mbarë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin.

Megjithatë, armëpushimi mbetet shumë i brishtë, ndërsa të gjitha palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes. /Rel