Rama për takimin me Macronin: Franca mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, që e ka zhvilluar para pak ditësh në Paris.

Takimin me Macronin, Rama e ka cilësuar si një tjetër hap në forcimin e dialogut politik mes Shqipërisë dhe Francës.

Në podkastin “Flasim”, Rama ka thënë se presidentin francez ka diskutuar mbi ecurinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe mbi mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas Ramës, në fokus të bisedës ishin edhe zhvillimet që lidhen me të ardhmen e BE-së dhe roli i Francës në procesin e zgjerimit.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se Parisi mbetet një partner i rëndësishëm për avancimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.

“Franca, si një nga vendet që ka një peshë domethënëse në raport me zgjerimin, ka një rol të rëndësishëm për sa i përket shtytjes më përpara të një ideje se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera që negociojnë është e padiskutueshme, por, nga ana tjetër, duhen gjetur mekanizma të rinj, gjë që u shkrua edhe në letrën e përbashkët të Presidentit Emmanuel Macron me Kancelarin Friedrich Merz.”, ka deklaruar Rama.

Gjithashtu, Rama ka dhënë detaje edhe për vizitën e tij në Gdansk të Polonisë, në konferencën për rindërtimin e Ukrainës.

Sipas tij, aty është diskutuar jo vetëm mbështetja për Ukrainën, por në tërësi arkitektura e sigurisë evropiane në vitet që vijnë.

“Qëndrimi im, yni, i Shqipërisë, është i ditur; u rikonfirmua, ndërkohë që ishte po ashtu një vend i duhur, në kohën e duhur, për të nënvizuar se rindërtimi i Ukrainës dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Moldavinë dhe Ukrainën, në Bashkimin Evropian, nuk duhen parë si dy procese të ndara, por si pjesë e të njëjtës qasje strategjike për një Evropë më të qëndrueshme, për një Evropë më të bashkuar, për një Evropë më të sigurt“, ka thënë ai.