Rezultatet përfundimtare hapin rrugën për ankesat, KQZ-ja tregon afatin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, duke hapur edhe afatin ligjor për paraqitjen e ankesave.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve nga shpallja e rezultateve.
“Pas këtij vendimi, kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj shpalljes së rezultatit në afat prej 48 orësh, duke filluar nga ora 12:00 sot dhe që përfundon në orën 12:00 të hënën”, tha Radoniqi në mbledhjen e KQZ-së.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 47.13 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 19.44 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69 për qind, ndërsa Aleanca 6.74 për qind.