Presidenti i SHBA-së prezanton pasaportën e re në 250-vjetorin e Pavarësisë

Donald Trump kërkon të jetë kudo dhe i paharruar. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar një version të ri të pasaportës amerikane, e cila do të jetë një prodhim i kufizuar. Kjo pasaportë përmban portretin e tij. Ky version i personalizuar i pasaportës amerikane vjen në kuadër të përgatitjeve që administrata republikane po bën për të festuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Truth Social, Trump shkroi se kjo pasaportë thotë: “Ejani në Amerikë, por silluni mirë”, ndërsa Shtëpia e Bardhë shkroi se kjo është një pasaportë patriotike. Kjo është hera e parë që fotografia e një presidenti vendoset në pasaportën amerikane.

Pamjet e pasaportës tregojnë një portret të presidentit të vendosur mbi tavolinën Resolute Desk, me tekstin e Deklaratës së Pavarësisë në sfond dhe me nënshkrimin e tij në fund të faqes. Dizajni i ri duket se bazohet në një portret të Trump nga National Portrait Gallery në Smithsonian, në Uashington, dhe ndryshon nga versionet e publikuara më herët gjatë vitit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, të cilat përmbanin një tjetër imazh të presidentit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo pasaportë e edicionit të kufizuar u njoftua fillimisht në prill si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e SHBA-së. Ajo përshkruhet si një dokument me vepra arti të personalizuara dhe elemente të përmirësuara në kopertinat e brendshme dhe të jashtme.

Po ashtu, është bërë e ditur se ky version i veçantë mund të lëshohet fillimisht për qytetarët që rinovojnë pasaportën në mënyrë fizike në zyrën e pasaportave në Uashington, ndërsa opsionet online dhe zyrat e tjera do të vazhdojnë të përdorin dizajnin ekzistues.

Aktualisht, pasaportat amerikane përfshijnë në brendësi një ilustrim historik që paraqet Francis Scott Key pas bombardimit të Fort McHenry, ngjarje që lidhet me krijimin e himnit kombëtar të SHBA-së. /abcnews