Hoxhaj reagon ndaj Rizvanollit: Pavarësia energjetike është edhe çështje gjeopolitike, jo vetëm ekonomike

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Qeveria nuk e ka refuzuar gazin amerikan dhe se rezervat e qymyrit i garantojnë Kosovës energji më të lirë.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka përmendur se si qeveria “Kurti” në vazhdimësi ka refuzuar projekte strategjike në sektorin e energjisë.

“Me 2019 qeveria ‘Kurti’ anuloi projektin e Kosovës me ‘ContourGlobal’. Më 2021 refuzoi projektin amerikan të gazit të mbështetur nga SHBA-ja. Sot po refuzon edhe një mundësi tjetër për t'u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument, qymyri”, shkroi Hoxhaj.

Sipas tij, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe strategjike.

“Pavarësia energjetike është një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës. Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike”, theksoi ai.

Në fund, Hoxhaj ka thënë se Kosovës i duhet një qasje tjetër në vendimmarrje për energjinë.

“Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t'u bërë pjesë e tij”, përfundoi Hoxhaj. /Zëri