Vazhdon ngritja profesionale e oficerëve të FSK-së

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Vilson Musaj, ka përfunduar me sukses kursin ndërkombëtar “International Military Cooperation Course (IMCC)”, i cili u mbajt në Mbretërinë e Holandës.

Kursi mblodhi pjesëmarrës nga 20 shtete të botës dhe shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, avancimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë zhvillimit të kursit, major Vilson Musaj u zgjodh udhëheqës i klasës, duke përfaqësuar të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet e programit. Në ceremoninë e diplomimit, majori mbajti fjalimin përmbyllës në emër të pjesëmarrësve të kursit.

Pjesëmarrja aktive dhe arritjet e personelit të FSK-së në programe të tilla ndërkombëtare pasqyrojnë nivelin e lartë të profesionalizmit dhe përkushtimin për zhvillim të vazhdueshëm profesional, në funksion të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin profesional të personelit ushtarak, duke investuar në ngritjen e kapaciteteve dhe përmbushjen e standardeve më të larta profesionale në shërbim të Republikës së Kosovës. /rtk