Mospjesmarrja e Kosovës në Samitin e NATO-s, MPJD-ja del me sqarim

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar ndaj raportimeve të disa mediave lidhur me mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke sqaruar se Republika e Kosovës nuk merr pjesë në këto samite në cilësinë e shtetit pjesëmarrës.

Sipas MPJD-së, Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP), prandaj nuk merr pjesë në samitet e Aleancës si shtet pjesëmarrës.

“Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës. Në raste të veçanta, varësisht nga agjenda, ftesë mund të marrin edhe partnerë të NATO-s”, thuhet në sqarimin e ministrisë.

MPJD thekson se në samitin e ardhshëm, përveç vendeve anëtare, janë ftuar partnerët e NATO-s në kuadër të grupit Indo-Pacific Four (IP4) – Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re – si dhe Ukraine.

Ministria sqaron gjithashtu se Kosova nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Pjesëmarrjet e mëhershme kanë qenë në aktivitete të veçanta të organizuara në margjinat e samitit, si iniciativa “Ëomen, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), e organizuar nga United States Department of State.

“Ky aktivitet ishte një ngjarje e veçantë, e organizuar paralelisht me samitin dhe nuk përbënte pjesëmarrje në vetë Samitin e NATO-s”, thuhet në reagim.

Në fund, MPJD rithekson se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me NATO dhe vendet anëtare të saj, si dhe për avancimin e synimit strategjik për anëtarësim të plotë në Aleancë./Zëri