Haxhiu: Pas certifikimit të rezultateve, nisin takimet me partitë për çështjen e presidentit

Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka deklaruar se po presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit për të filluar takimet me partitë politike për çështjen e presidentit.

“Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj pas certifikimit të rezultateve natyrisht që do të ketë takime me partitë politike dhe urojmë që ta gjejmë një konsensus në mënyrë që ta votojë Kuvendi i Republikës së Kosovës me mandat pesëvjeçar dhe të vazhdojnë punët dhe përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve”, ka thënë ajo.

“Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë pra, pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja kushdo që të jetë ai apo ajo do të ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër të vendit.

Ndërsa, e pyetur se a do të jetë kandidate për presidente, Haxhiu është përgjigjur shkurt.

“Jo, nuk do të jem kandidate për presidente”, tha shkurt Haxhiu.

Kurse sa u përket raportimeve të mediave që Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s, Haxhiu ka dhënë këtë përgjigje.

“Ende jemi duke marrë informacione për këtë, natyrisht ju lutem që të pyesni me shkrim institucionet kompetente dhe do të përgjigjen”, shtoi ajo. /eo