FC Prishtina zyrtarizon Anio Poçin

FC Prishtina ka prezantuar përforcimin më të ri për repartin defensiv, duke zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit shqiptar, Anio Poçi.

Mbrojtësi 27-vjeçar i bashkohet skuadrës kryeqytetase pas një sezoni të suksesshëm me Egnatia, me të cilën u shpall kampion i Abissnet Superiores në Shqipëri.

Poçi vjen në “Fadil Vokrri” me përvojë të konsiderueshme dhe me reputacionin e një futbollisti të qëndrueshëm në repartin e mbrojtjes. Drejtuesit e klubit presin që ai të sjellë siguri në prapavijë dhe të kontribuojë në objektivat e skuadrës për edicionin e ri.

Me këtë transferim, Prishtina vazhdon përforcimin e ekipit në prag të sezonit të ri, me synimin për të qenë konkurruese në garat vendore dhe në arenën evropiane.

Klubi bardhekaltër e ka mirëpritur Poçin në kryeqytet, ndërsa tifozët presin që mbrojtësi shqiptar të japë kontribut të rëndësishëm në fanellën e Prishtinës.